Vendosni fjalën kyçe....

Berisha del ne foltore dhe shkakton debate, Nikolla i fik mikrofonin


Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shkaktoi debate sapo mori fjalën në Parlament. Kjo pasi ai kritikoi mënyrën se si po zhvillohet seanca e Parlamentit, duke u ankuar për kohën që iu la në dispozicion të fliste një prej ministreve të qeverisë.

Ai u shpreh se zv.kryeministrja Belinda Balluku mbajti Parlamentin për 20 minuta me mashtrime.

“Të dashur qytetarë dhe qytetare, të nderuar deputetë dhe zonja kryetare e Parlamentit. Unë jam këtu për të shtruar tre pyetje:

A mundet një njeri ta mbajë me mashtrime parlamentin 20 minuta, duke shkelur çdo rregullore siç bën zonja? (E ka fjalën për ministren Belinda Balluku).

E dyta, me çfarë lidhet me ju, largimi i Nanos, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit?

Pastaj, fol këtu për misterin e pallatit të Lul Morinës. Na fol pak për mullar-pallatin. Pallati 8-katësh dhe ti flet aty për mister. Hajde këtu tani dhe jep përgjigje.”- tha Berisha, duke shkaktuar një kundërpërgjigje nga kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla e cila i fiku mikrofonin.

“Ju lutem z.Berisha, nuk është procedurë kjo, mos fillojmë me seancë pyetje-përgjigjesh. Ju ndërpres fjalën, nuk është për procedurë. (Gazment Bardhi ndërhyn nga vendi). Zoti Bardhi, e kuptoj dëshirën tuaj për t’i ardhur në ndihmë z.Berisha, por nuk është fare vendi. Ministrat e marrin fjalën sa herë e kërkojnë.”-tha Nikolla pasi i fiku mikrofonin Berishës.