Vendosni fjalën kyçe....

Shkuan për ngjitje në mal, zhduken tre alpinistë në Greqi


Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Greqi, ku tre aplinistë janë zhdukur në qendrën e skijimit të Kalavritës.

Gazeta Protothema raporton se bëhet fjalë për tre alpinistë me përvojë të moshës 50 deri në 55 vjeç, banues në Patras.

Tre burrat që kishin eksperiencë në ngjitje dimërore dhe ski, janë ngjitur në Helmos mëngjesin e së shtunës.

Resorti i skijimit i kërkoi tre burrat pasi ata e kishin lënë makinën në parkingun e qendrës. Ata u përpoqën të kontaktonin me ta, por në anën tjetër të telefonit nuk përgjigjej askush.

Stafi i qendrës së skijimit ka nisur kërkimet dhe ka njoftuar Policinë.

Në vendngjarje kanë shkuar Policia e Kalavritës dhe një autoambulancë, ndërsa është kërkuar edhe ndihmë nga forca të tjera.

Sipas medies greke, moti në Helmos është relativisht i mirë me erëra mesatare por me temperatura shumë të ulëta.

Për momentin, ekipet e shpëtimit dhe skiatorët e resortit të skijimit po përpiqen me dronë por edhe me forca tokësore të lokalizojnë tre të zhdukurit, ndërsa pritet ndihma e mjeteve ajrore.

Drejtori i përgjithshëm i qendrës së skijimit të Kalavritës, Alexis Agrios, ka folur më herët për mediet.

“Për momentin nuk kemi shumë të dhëna. Kemi tre alpinistë me shumë përvojë, të cilët nisën të dilnin jashtë qendrës që vitin e kaluar për ngjitje në akull. Njëri është gjithashtu instruktor dhe një nga emrat më të njohur në vend. Ne kishim një shërbim nate në qendër, kur u mbyllëm morëm vesh se në parking kishte një makinë dhe ishin këta tre persona që nuk ishin kthyer ende. Ne kontaktuam me ta dhe nuk dhanë asnjë shenjë jete. Që atëherë jemi në gatishmëri dhe në koordinim me zjarrfikëset dhe policinë.”– tha Agrios.

Ai shtoi se kushtet atmosferike në zonë janë të mira.