Vendosni fjalën kyçe....

Mediet amerikane: Rusia është 70% gati për të pushtuar Ukrainën


Presidenti rus Vladimir Putin ka mbledhur deri tani 70% të personelit ushtarak dhe armëve në kufijtë e Ukrainës që do t’i nevojiteshin për një pushtim të plotë të vendit në javët e ardhshme. Kështu raportojnë disa media amerikane si CNN apo Reuters, të cilat i referohen dy zyrtarëve anonimë.

Toka pritet të ngrijë dhe ngurtësohet nga mesi i shkurtit, duke i mundësuar Moskës të sjellë më shumë pajisje të rënda.

Rusia thuhet se ka më shumë se 100 mijë trupa pranë kufijve të Ukrainës, por mohon të planifikojë të sulmojë.

Zyrtarët amerikanë nuk dhanë prova për vlerësimin e tyre. Ata thanë vetëm se informacioni bazohej në inteligjencë, por se nuk ishin në gjendje të jepnin detaje për shkak të ndjeshmërisë së tij.

Zyrtarët thanë gjithashtu se nuk e dinin nëse presidenti rus Vladimir Putin kishte vendosur të ndërmerrte një hap të tillë, duke shtuar se një zgjidhje diplomatike ishte ende e mundur.

Duke folur në kushte anonimiteti, dy zyrtarët amerikanë i thanë agjencisë së lajmeve Reuters se kushtet e motit do të ofrojnë një dritare maksimale për Rusinë që të lëvizë pajisjet përpara midis 15 shkurtit dhe fundit të marsit.

Sipas raportimeve, ata paralajmëruan se një pushtim rus i Ukrainës mund të shkaktojë deri në 50 mijë vdekje civile. Zyrtarët amerikanë vlerësuan gjithashtu se një sulm mund të bëjë që kryeqyteti ukrainas, Kievi, të bjerë brenda disa ditësh dhe të shkaktojë një krizë refugjatësh në Evropë.

Trupa shtesë amerikane kanë mbërritur në Poloni si pjesë e një dislokimi të ri për të forcuar forcat e aleancës ushtarake perëndimore të NATO-s në rajon.

Grupi i parë zbarkoi në Rzeszoë në juglindje të vendit të shtunën. Administrata e Joe Bidenit njoftoi ditë më parë se do të dërgonte rreth 3000 trupa shtesë në Evropën Lindore.

Moska thotë se trupat e saj janë në rajon për stërvitje ushtarake, por Ukraina dhe aleatët e saj perëndimorë mbeten të shqetësuar se Kremlini po planifikon të nisë një sulm.