Vendosni fjalën kyçe....

Nafta në Dumre, kalon deklarata mjedisore për italianët e ENI, gati vrojtimi gjeofizik


Kompania italiane ENI e cila ka një marrëveshje hidrokarbure me qeverinë shqiptare për bllokun e Dumresë do të zhvillojë gjatë këtij viti vrojtimin gjeofizik.

Në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit ka kaluar tashmë vendimi për deklaratën mjedisore duke i hapur kështu rrugë procedurave të tjera të kompanisë. Fillimi i vrojtimit gjeofizik që do të zërë vend përgjatë gjithë këtij viti ishte njoftuar edhe më herët në disa dokumente të kompanisë të dorëzuara pranë autoriteteve.

Në të njëjtat dokumente më herët nënvizohej se vrojtimet gjeofizike përdoren gjerësisht në të gjithë botën për të përftuar një pamje të detajuar të ndërtimit gjeologjik nën sipërfaqen e tokës.

“Qëllimi i vrojtimit gjeofizik të propozuar do të shfrytëzohet nga Propozuesi i projektit për të vlerësuar potencialin e hidrokarbureve në zonën e vrojtuar dhe informuar mbi vendndodhjet e mundshme të vrojtimit për aktivitete të shpimit kërkimor. Megjithatë, mund të duhen disa vite përpara se ENI të kuptojë plotësisht praninë e mundshme të hidrokarbureve në këtë pjesë të Shqipërisë dhe për të vendosur nëse mund të prodhohen hidrokarbure “shprehej kompania.

Metoda për kërkimet do të jetë ajo 2D që përdoret zakonisht për kërkimin rajonal të hidrokarbureve.

Zona e projektit ndodhet në rajonin e Dumresë, në tokë, në Shqipërinë qendrore, rreth 40 km në jug të kryeqytetit Tiranë, në një zonë hidrokarbure të eksploruar dhe “provuar” më parë. Blloku Dumre zë një sipërfaqe prej 587 km2.

Qeveria e cila kishte kohë që nxirrte për interes Blloqe të lira nafte arriti të nënshkruante me kompaninë italiane ENI një marrëveshje me kushte të reja sipas kuadrit të ri ndryshe nga ato ekzistuese dhe ku pritet që Shqipëria të përfitojë më shumë. Kjo do të thotë se në rast zbulimi naftë dhe nisje prodhimi vendi ynë përfiton që në fuçinë e parë dhe jo në pritje të nxjerrjes së investimit nga ana e kompanisë.

Në atë kohë kur u nënshkrua edhe marrëveshja qeveria shqiptare deklaroi se është rënë dakord me kompaninë që përftimi të mos jetë vetëm në aspektin financiar duke marrë më shumë para në buxhet, por edhe sa i takon kapitalit njerëzor./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor