Vendosni fjalën kyçe....

BE miraton planin e përbashkët të mbrojtjes


Bashkimi Evropian miratoi të hënë ‘Strategic Compass’, një strategji e përbashkët e mbrojtjes në mbarë bllokun që do të krijojë një forcë dislokimi të BE-së prej 5,000 trupash.

Ndërsa një lëvizje e tillë është e para historike për bllokun, ajo është në thelb më modeste se ushtria e BE-së e propozuar nga presidenti francez Macron.

“Bashkimi Evropian sapo miratoi busullën strategjike”, njoftoi ministri i Jashtëm Letonez Edgars Rinkevics, pas një takimi të ministrave evropianë të Mbrojtjes dhe të Jashtëm në Bruksel më herët gjatë ditës.

Plani ofron një ‘kuti mjetesh të nevojshme që BE-ja të bëhet një lojtar i vërtetë gjeopolitik i mbrojtjes dhe sigurisë së bashku me NATO-n,’ tha ai, dhe është vetëm ‘fillimi i rrugëtimit’ për të ardhmen ushtarake të bllokut.

Vetë plani ka ekzistuar që nga viti 2020, kur u propozua nga Këshilli Evropian. Që atëherë është kritikuar nga ato vende të Evropës Lindore që preferojnë të mbështeten te NATO-ja dhe ‘muskujt’ e SHBA-së për nevojat e tyre të mbrojtjes.

Megjithatë, shpërthimi i konfliktit në Ukrainë e ka përshpejtuar miratimin e planit. Në formën e tij të tanishme, ‘Strategic Compass’ ka për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit midis ushtrive ekzistuese evropiane, nxitjen e bashkëpunimit me NATO-n, forcimin e aftësive të mbrojtjes kibernetike dhe lehtësimin e investimeve të përbashkëta në kërkim dhe zhvillim.