Vendosni fjalën kyçe....

Protesta e 8 Janarit përmes FOTOSH e VIDEOSH, gjithçka ndodhi sot në selinë e PD-së


Protesta e 8 janarit e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shoqërua me çaste tensione e dhune.

Tensionet nisën akoma pa filluar mirë protesta me sulmin ndaj Roland Bejkos, vijoi me thyerjen e derës kryesore të selisë blu, me plagosjen e një mbështetësi të Berishës në kokë, sulme me gurë e shkopinj dhe përdorim të një lloj gazi lotsjellës.

Sulmi ndaj Roland Bejkos

Sekretari për pushtetin vendor në PD, Roland Bejko mbërriti me vonesë në selinë blu për të marrë pjesë në mbledhjen e thirrur nga kryedemokrati Lulzim Basha, mirëpo u përzu nga një grup mbështetësisht të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Bejko ka tentuar të largohet, ai është mbrojtur nga disa persona dhe është nisur drejt krahut të majtë të ndërtesës, por nuk ka mundur të depërtojë pasi në krah të tij kishte mbështetës të Berishës dhe për pasojë dera nuk është hapur për të.

Ata i bërtisnin Bejkos “jashtë spiun”, “hajdut” e të tjera fyerje. Më pas ai është larguar duke dalë edhe nga rrethimi i oborrit të selisë.

Pasi u shty dhe u përzu nga selia blu nga mbështetës të ish-kryeministrit Berisha, Bejko ka mbajtur një fjalë të shkurtër për gazetarët.

Ai tha se kjo që ka ndodhur sot, ka ndodhur vetëm në vitin 1991. Ai i bëri thirrje Berishës të mbajë njerëzit nën kontroll.

Shqyhet dera kryesore, mbështetësit e Berishës u futën në seli

Që në nisje të protestës, mbështetësit e ish-kryeministrit Sali Berisha kanë tentuar dhe më pas kanë arritur të thyejnë derën kryesore të selisë blu.

Protestuesit janë futur në katin e parë të selisë por duke u ndalur me kaq pasi dyert e tjera në seli ishte e vështirë për ta të thyheshin. Por ata janë përpjekur gjithsesi me disa mjete të ndryshme rrethanore për t’i thyer dyert e për t’u ngjitur në katin e dytë, por ishte e pamundur.

Shkopinj e gurë mes demokratëve

Më pas disa të tjerë protestues me ndihmën e disa shkallëve metalike tentuan të ngjiteshin në katin e dytë por përsëri pa sukses pasi u përballën me rezistencë.

Disa nga personat që arritën të ngjiteshin u detyruan të zbrisnin ndërkohë që njëri prej tyre mbeti i lënduar.

 

Plagoset në kokë mbështetësi i Berishës

Një nga përkrahësit e Berishës mbeti i lënduar në kokë.

Berisha u shpreh se ky është një akt kriminal i Bashës, të cilit i bëri thirrje të heqë dorë nga dhuna: “Akti kriminal i Lulzim Bravës. Një protestues është goditur me mjet të fortë në kokë. Ruani gjakftohtësinë, kjo është fytyra kriminale e Lulzim Bravës. Lulzim hiq dorë nga dhuna.”

Më pas vetë qytetari foli për mediet duke u shprehur se u dhunua “nga policia e Bashës”.

Por Policia e Shtetit reagoi përmes një njoftimi për mediet duke thënë se në asnjë moment nuk kishte ndërhyrë ende dhe nuk kishte përdorur sende të paligjshme ndaj protestuesve.

PD kërkon ndihmë, ndërhyn Policia

Pas disa orësh të tensionuara me një lloj spraj që hidhej mbi demokratët, thyerje dritaresh, hedhje gurësh dhe shkopinjsh, ishte PD zyrtare që ka kërkuar ndihmë nga Policia e Shtetit.

Forcat e rendit më pas kanë ndërhyrë dhe kanë shpërndarë turmat me gaz lotsjellës dhe me autobotet me ujëhedhëse.

Drejtori i Policisë së Tiranës Lorenc Panganika në një prononcim për mediet tha se policia ndërhyri në selinë blu pas thirrjes për ndihmë nga drejtuesit e kësaj partie.

“Ndërhyrja jo me vonesë. E bëmë kur e vlerësuam se rrezikohej jeta. Pati kërkesa dhe telefonata nga drejtues të PD-së. U telefonuam. Telefonatat janë të regjistruara të gjitha. Rrezikohej jeta e çdo qytetari dhe jo vetëm e deputetëve. Situata në Tiranë do qetësohet. Paraprakisht është e qetë. Nuk do ta ruajmë godinën, pasi të kryejmë proceduarat do të largohemi.”– tha Panganika.

Një marshim dhe Berisha mbyll protestën

Pasi u përzunë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Berisha dhe mbështetësit e tij bënë një marshim drejt Kryeministrisë dhe pasi u kthyen sërish ish-kryeministri njoftoi mbylljen e protestës.

“Beteja vazhdon. Më të vendosur se kurrë. Kjo ditë fakton se kauza jonë është një kauzë për të gjithë shqiptarët. Ndaj dhe ne…Shteti dhe Basha janë e njëjta gjë. Edi Rama mendon të marrë peng selinë e PD-së. Ne i themi se ke bërë gabim të tmerrshëm dhe do të përgjigjesh.

Nuk është fundi i protestave. Nuk ndalet më kurrë, gjer në realizimin e tij. Se ku do qëndrojë do jeni dhe ju në dijeni. Selia është uzurpuar nga shteti, ajo nuk është shtëpi e Edi Ramës. Ne jemi kundër dhunës, ne nuk përdorëm dhunë. Ne u dhunuam nga të gjitha anët.”- tha Berisha.

Çfarë mbeti brenda selisë pas protete

Këto janë pamjet nga brenda selisë së Partisë Demokratike pas protestës së thirrur nga ish-kryeministri Berisha.

Sikurse vihet re në zyrën e kryedemokratit Basha sendet e forta që u hodhën protestuesit kan sjellë dëme të mëdha.

Xhama të thyer në tokë e gurë, janë hedhur në zyrën e kryedemokratit.

TË TJERA PAMJE NGA PROTESTA