Vendosni fjalën kyçe....

Muslim Murrizi kallëzohet penalisht, akuzohet se fshehu 60 mijë Euro


Ish-deputeti demokrat Myslim Murrizi është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së të ardhurave.

Sipas “News 24”, Murrizi akuzohet për fshehje të pasurisë, pasi dyshohet se nuk ka deklaruar një shumë prej 60 mijë eurosh, gjatë kohës kur ishte deputet.

Denoncimi është bërë nga sektori i krimit ekonomik në drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë.

Në referimin e Policisë së Shtetit në Prokurori thuhet se “Myslim Murrizi si dhe familjarët e tij, vetë apo përmes subjekteve tregtare, kanë kryer transaksione të shumta dhe të dyshimta në disa nga bankat tregtare që operojnë në vendin tonë”.

Sipas gazetares Klodiana Lala “në muajt qershor 2007 – shtator 2008 janë depozituar apo transferuar nga një llogari tjetër e Myslim Murrizit brenda bankës në një nga bankat e nivelit të dytë në total 249 mijë e 751 euro nga të cilat 248 mijë e 710 janë mbajtur kesh nga ana e Myslim Murrizit”.

Një tjetër episod për të cilin policia ka ngritur dyshime bën fjalë në vitin 2010 kur “ish-deputeti ka depozituar kesh në llogarinë e shoqërisë ‘Murrizi 2009’, 60 mijë euro”. Sipas policisë ka gjasa që kjo shumë nuk është deklaruar në ILDKPI.