Vendosni fjalën kyçe....

Andi Bushati: Basha po nxit dhunën në PD


Botuesi i portalit Lapsi.al, Andi Bushati, në një editorial të tijin ditën e sotme ka shkruar se ndryshimi i fasadës së PD-së është një lëvizje marrëdhënie publike dhe se në këtë veprim “djalli fshihet në detaje”.

Bushati shkruan se Basha po vazhdon të uzurpojë zyrën dhe se ai është deligjitim dhe po tenton të mbajë selinë me çdo mjet.

Në një përpjekje për të kundërshtuar akuzat e berishistëve, se Basha vazhdon të uzurpojë zyrën me forcë, se pasi ndryshoi drynët dhe bravat, hoqi karriget e sallave dhe e mbushi selinë me kamera, se kryetari i shkarkuar ka blinduar portën kryesore dhe dritaret e katit të parë, përgjigjja ishte qesharake.

Përqëndrohuni pak dhe lexojeni me vëmendje këtë frazë: “punimet dhe mirëmbajtja në seli këtë fillimviti bëhen në funksion të riorganizimit dhe rifreskimit të strukturave qendrore të partisë“(lexo ketu).

Ky pra është justifikimi. Ndërsa i gjithë publiku diskuton nëse do ta sulmojë doktori shtëpinë e tij duke e nxjerrë nga zyra pasardhësin, Basha do të na bëjë të besojmë se shqetësimi i tij kryesor qenkësh “rifreskimi i strukturave”-shkruan Bushati.

Më tej Bushati shkruan se justifikimet për ndryshimin e pamjes së jashtme dhe të brendshme janë “pirueta” me qëllim për të fshehur humbjen e mbështetjes në parti.

“Basha po e çon PD-në drejt një përplasje të pashmangshme”-vijon më tej Bushati.

Të gjitha këto pirueta të sforcuara kanë pasur një qëllim të thjeshtë, përpjekjen për të fshehur humbjen dërrmuese të mbështetjes në parti.  

Pa krijuar butaforinë e një realiteti fallc, Lulzim Basha nuk do kishte asnjë argument për të blinduar tani selinë. Blloqet e çelikta mbi dyert dhe dritaret e godinës së PD janë përfundimi logjik i demiurgut të një bote që e sheh vetëm ai vetë. 

Prandaj mëkati më i madh i kreut të shkarkuar të PD nuk është tentativa për të bunkerizuar partinë, por ajo për ta shndërruar atë në simbolin e një fabule që nuk ekziston.   

Sepse duke mohuar realitetin, duke injoruar shumicën e antarësisë, duke mos njohur delegatët e kongresit dhe vullnetin e tyre, Basha po e shpie PD-në drejt një përplasjeje të pashmangshme”-vijon Bushati.

Sepse, për dhunën, ndonjëherë, më shumë sesa ai që e shkakton, bëhet fajtor , ai që e provokon. 

Dhe Basha e ka luajtur këtë rol.  Prandaj ai është përgjegjës, jo për gardhin e hekurt që po ngre, por për serinë e manipulimeve që po e detyrojnë të fshihet pas tij”-përfundon drejtuesi i Lapsi.al

VINI RE: Editoriali i plotë i Andi Bushatit është pronësi intelektuale e Lapsi.al