Vendosni fjalën kyçe....

Kapet i riu në Tiranë, i sekuestrohet drogë gati për shitje


Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë ndërsa në kërkim është shpallur një tjetër person.

Ata janë ndaluar në kuadër të operacionit ‘Baldushku’ e gjatë kontrollit policia ka gjetur një sasi prej 2 kilogramësh kanabis, një mjet, doreza plastike, maska e një dorezë hekuri.

Në pranga ka rënë i riu me iniciale N.S., banues në Baldushk ndërsa në kërkim është shpallur 39-vjeçari I.Sh.

Dyshohet se ata e kultivonin lëndën narkotike në zonat malore të fshatit Baldushk dhe e shisnin me një çmim 700 euro për kilogram.

Njoftimi

“Finalizohet operacioni i koduar “Baldushku”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.

Sekuestrohen 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, një automjet, një dorezë metalike (përforcues grushti), një aparat celular, doreza plastike dhe maska.

Specialistët e Sektorit të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Baldushku”.

Në kuadër të operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit N. S., 25 vjeç, banues në Baldushk, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, si dhe u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit I. Sh., 39 vjeç, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi kultivonin bimë narkotike në zona malore në fshatin Baldushk, e përpunonin dhe e shisnin lëndën narkotike te blerës të ndryshëm, kundrejt pagesës 700 euro një kilogram. Në zonën e Baldushkut, shërbimet e Policisë, kanë lokalizuar dhe më pas arrestuar në flagrancë shtetasin N. S., 25 vjeç, të cilit gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2 kg e 200 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të kontrollit, në banesën e shtetasit I. Sh., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një dorezë metalike (përforcues grushti), doreza plastike dhe maska. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.”