Vendosni fjalën kyçe....

Pezullohet çështja e Akërnisë në Arbitrazh, nuk u krye pagesa e procedurave


Pas një sërë lajmesh të këqija në përballjet e Shqipërisë në Arbitrazh duket se ka edhe një gjysmë të mirë.

Mund të konsiderohet si gjysmë për faktin se një prej çështjeve të fundit është pezulluar por riaktivizimi i saj mund të ndodhë sërish në varësi të hapave që do të marrin palët. Bëhet fjalë për përballjen e kompanisë Arka Energy B.V përballë shtetit shqiptar lidhur me projektin për impiantin fotovoltaik të Akërnisë.

Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjes së Investimeve (ICSID) njoftoi se në datë 14 dhjetor është vendosur pezullim i procedurave për shkak të mos pagesës të detyrimeve që lindin nga rregullorja administrative dhe financiare 14(3)(d) e ICSID lidhur me çështjet që shkojnë për gjykim para asaj. Detyrimet e pagesës në këtë rast duhet të përmbushen nga kërkuesi që në këtë rast është investitori i huaj dhe që nuk ka kryer këtë pagesë.

Por çfarë do të thotë pezullim i një çështjeje? Termi “stayed”(pezullim) i përdorur në pjesën juridike ka të bëjë me ngrirjen e një çështjeje. Gjykata në varësi të hapave që mund të hedhin palët në vazhdim mund të heqë pezullimin ose të vijojë ta mbajë atë, pra në rast pagese e detyrimit çështja rifillon sërish.

Pezullimi i çështjes vjen në një kohë kur më herët në shtator 2021 u ngrit edhe grupi prej tre arbitrash.

Historia e përplasjes për Akërninë

Parku fotovoltaik i Akërnisë parashikohej që të ndërtohej për një vlerë 70 milionë euro nga India Power sipas një deklarate të Ministrisë së Energjisë në 10 nëntor 2018.

Por në fakt kompania që ishte në negocim me qeverinë për kontratën ishte Arka Energy e regjistruar në Holandë.

Në atë kohë oferta e shpallur fituese, siguronte një çmim energjie për 50 MË me një vlerë prej 59.9 Euro/MW për 15 vite dhe një kapacitet shtesë prej 50 MW (100 MW në total) pa mbështetje për blerje energjie.

Afati i zbatimit të investimit vlerësohej 18 muaj. Në atë kohë, ky ankand do të përgëzohej si nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ashtu edhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim por gjatë rrugës duket se pala investitore dhe qeveria nuk gjetën dakordësi për nënshkrimin final të kontratës.

Kjo bëri që qeveria të tërhiqej nga Akërnia dhe më pas çështja të regjistrohej në Arbitrazh në 18 dhjetor 2020.

Pretendimi që u tha nën zë në atë kohë ishte për 110 milionë euro nga ana e kompanisë por që asnjëherë nuk u konfirmua zyrtarisht. Tashmë çështja ka mbetur pezull në arbitrazh dhe mbetet vetëm të shihen hapat që do të hidhen në vijim për të kuptuar nëse Shqipëria do të shpëtojë nga ky arbitrazh./N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Revista Monitor