Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr në Pallatin e Rinisë në Kosovë, një i lënduar


Një zjarr ka shpërthyer paraditen e sotme në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar njësitë e Policisë së Kosovës dhe të zjarrfikësve.

Incidenti ka ndodhur në orën 09:20, ndërsa dyshohet se janë djegur disa kabllo elektrike.

Policia ka njoftuar se si pasojë e ngjarjes ka mbetur i lënduar një person.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipi i urgjencës. Sipas informatave të deritashme, një person raportohet të ketë pranuar tretman mjekësor.”- tha policia për gazetën Express.

Sipas policisë, lidhur me këtë situatë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe zjarri është lokalizuar.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, gjithashtu ka folur për ngjarjen, duke u shprehur se ekipi i KEDS-it ka konstatuar se kabllot nuk janë të kompanisë por janë kabllo të brendshme.

“Janë djegur disa kabllo të brendshme të tyre, ekipi e ka inspektu gjendjen. Janë disa kabllo elektrike që s’kanë të bëjnë me KEDS.”- tha Buzhala.