Vendosni fjalën kyçe....

Google i kërkohet të heqë informacionin ‘e pasaktë’


Google duhet të heqë të dhënat personale nga rezultatet e kërkimit nëse përdoruesit janë në gjendje të vërtetojnë se ato janë të pasakta, vendosi të enjten Gjykata e Drejtësisë së Bashkimit Evropian (CJEU).

Çështja para gjykatës lidhej me dy drejtues biznesi të cilët i kërkuan gjigantit të kërkimit të hiqte rezultatet që lidhnin emrat e tyre me artikuj që kritikonin modelin e investimeve të kompanive të tyre. Ata kërkuan gjithashtu heqjen e fotografive të vogla nga rezultatet e kërkimit.

“Operatori i një motori kërkimi duhet të heqë referencat për informacionin e gjetur në përmbajtjen e referuar ku personi që e kërkon provon se një informacion i tillë është haptazi i pasaktë.” – tha gjykata.

Më parë, Google kishte kundërshtuar të heqë informacionin, me arsyetimin se nuk e dinte nëse ishte i saktë.

Gjykata tha se provat nuk duhet të vijnë nga një vendim gjyqësor dhe përdoruesit duhet të ofrojnë prova që mund t’u kërkohen.

Çështja ka krijuar ërplasje midis avokatëve të fjalës së lirë dhe grupeve të të drejtave të privatësisë, të cilët po debatojnë se ku duhet të qëndrojë ekuilibri midis të drejtës për t’u harruar dhe të drejtës për lirinë e informacionit në internet.

Gjykata kishte sanksionuar tashmë ‘të drejtën për t’u harruar’ në internet në vitin 2014, duke vendosur që njerëzit mund t’u kërkonin motorëve të kërkimit të hiqnin informacione të parëndësishme ose të pasakta nga shfaqja në kërkimet e emrave të tyre.

“Që nga viti 2014, ne kemi punuar shumë për të zbatuar të drejtën për t’u harruar në Evropë dhe për të vendosur një ekuilibër të ndjeshëm midis të drejtave të njerëzve për qasje në informacion dhe privatësi.” – tha të enjten një zëdhënës i Google.

Rregulla të mëtejshme të privatësisë së BE-së u zbatuan në vitin 2018 duke deklaruar se e drejta për t’u harruar mund të përjashtohet kur përpunimi i informacionit personal është i nevojshëm për ushtrimin e së drejtës për informacion.

Në vitin 2020, Google u gjobit me 600,000 euro nga autoriteti i mbrojtjes së të dhënave të Belgjikës për mospërputhje me rregullin e së drejtës për t’u harruar, pasi nuk arriti të hiqte të dhënat nga rezultatet e kërkimit të cilat agjencia tha se ishin ‘të vjetruara’ dhe dëmtuese për një person të profilit të lartë.