Vendosni fjalën kyçe....

Mohamed Salah uron Krishtlindjet, tani rrjeti po gumëzhin nga përplasjet mbi fenë


Sulmuesi i Liverpool-it dhe i Egjiptit, Mohamed Salah ka shkaktuar mjaft zhurme në mediet sociale pasi shpërndau një mesazh për ditën e Krishtlindjes nga familja e tij.

Salah, i cili është një nga personalitetet më të mëdha të sportit mysliman në planet, ka postuar një foto të familjes së tij pranë pemës së Krishtlindjeve dhe të veshur me veshje festive.

“Gëzuar Krishtlindjet”- shkruante futbollisti 29-vjeçar krahas fotos.

Postimi i Salah mblodhi mbi 2 milionë pëlqime brenda pak orësh pasi u postua në Instagram dhe më shumë se 200 mijë pëlqime të tjera në Twitter.

Mirëpo në rrjet kishte disa që kundërshtuan sulmuesin pasi ai si mysliman supozohet të mos i festojë Krishtlindjet.

Salah u bombardua me komente në arabisht, pasi shumë besimtarë myslimanë e panë mesazhin e tij si kontradiktor me parimet myslimane dhe si një fyerje ndaj fesë së tyre.

“Ti i gjunjëzohesh atij (Zotit) të dielën nëse shënoni gol dhe festoni të dielën atë që ka një djalë.”- ishte një koment, që i referohet dallimeve midis besimeve islame dhe të krishtera.

“Ti je një lojtar i madh, një qenie njerëzore e mirë dhe Zoti të ka bekuar me para, famë dhe dashuri për njerëzit, por dije se ai që të ka siguruar të gjitha këto është në gjendje t’jua marrë ato sa hap e mbyll sytë.”– thoshte një tjetër në arabisht, koment i cili mori rreth 7 mijë pëlqime.

Disa tifozë të tij nuk mund ta kuptonin pse Salah ishte në shënjestër të urrejtjes për një mesazh të tillë urimi.

“Unë absolutisht e dua këtë. Salah është një shembull i mrekullueshëm i dikujt që krijon ura duke mos u kujdesur për zhurmën. Bota ka nevojë për më shumë si ai.”- shkruante një fans.

Kjo zhurmë e krijuar në rrjet nuk duket se ka gjasa ta shpërqendrojë Salah në fushë, ku ai ka qenë në formën më të mirë në këtë sezon. Ai e ka gjetur rrjetën 22 herë në 24 paraqitje në të gjitha ndeshjet për Liverpool-in, si dhe ka dhënë nëntë asistime.