Vendosni fjalën kyçe....

Vladimir Putin: Kina do t’i japë fund dominimit të SHBA-ve


“Brenda tre dekadave të ardhshme, Kina do të kalojë SHBA-në në çdo aspekt të ekonomisë së saj.”- Kështu ka deklaruar presidenti rus Vladimir Putin, duke parashikuar kështu se SHBA do të humbasë pozicionin e saj të dominimit në financa dhe tregti.

Duke folur me gazetarët në konferencën e tij për shtyp të fundvitit, Putin vuri në dukje se “sot, ekonomia e Kinës është tashmë më e madhe se ajo e Amerikës për sa i përket barazisë së fuqisë blerëse”.

Sipas tij, “deri në vitet 2035-2050, ajo do ta ketë tejkaluar atë dhe Kina do të bëhet ekonomia lider në botë sipas të gjitha matjeve”.

Megjithatë, vazhdoi presidenti rus, Perëndimi po punon për të minuar kombin më të populluar në botë dhe për të penguar rritjen e tij. Bojkoti i Lojërave Olimpike 2022 në Pekin, me argumentin se bëhet për abuzimet e të drejtave të njeriut, sipas Putinit është një përpjekje e SHBA-ve për t’u siguruar që Kina “nuk mund të ngrejë kokën” mbi konkurrentët e saj.

Putin e kritikoi vendimin si “të papranueshëm dhe të gabuar” dhe një “përpjekje për të frenuar zhvillimin e Republikës Popullore të Kinës”.

Gjatë konferencës për shtyp të enjten, Putin tha se Kina është partneri numër një i vendit të tij, duke shtuar se “ne kemi marrëdhënie shumë të besueshme dhe kjo na ndihmon të ndërtojmë edhe lidhje të mira biznesi”.

“Ne jemi duke bashkëpunuar në fushën e sigurisë. Ushtria kineze është e pajisur në një masë të konsiderueshme me sistemet më të avancuara të armëve në botë. Madje së bashku po zhvillojmë disa armë të teknologjisë së lartë.”- shtoi lideri rus.