Vendosni fjalën kyçe....

Rusia i thotë jo dhënies me qira të ishujve që pretendohen edhe nga Japonia


Ishujt Kuril në Paqësor, për të cilët Japonia ka pretendime territoriale, do të përfshihen si mundësi invesimit për biznesmenët vendas ashtu edhe nga ata të huaj, por dhënia me qira e arkipelagut është rreptësisht jashtë diskutimit, ka njoftuar zëvendëskryeministri rus.

Duke folur të hënën, Yuri Trutnev, i cili gjithashtu shërben si i dërguari presidencial në Qarkun Federal të Lindjes së Largët, tha se qeveria ruse ka përgatitur dhe dorëzuar në Dumën e Shtetit një projektligj për krijimin e stimujve në territorin në fjalë.

“Ne do i zhvillojmë Ishujt Kuril dhe do të tërheqim fonde ruse dhe të huaja atje,” shpjegoi Trutnev, por këmbënguli se ‘nuk mund të flitet për dhënien me qira të ndonjë ishulli’.

Komentet e zyrtarit vijnë pasi guvernatori i rajonit të Sakhalin në Lindjen e Largët të Rusisë, Valery Limarenko, i tha të përditshmes së biznesit të Moskës ‘RBK’ se kompania daneze ‘Copenhagen Offshore Partners’ është e gatshme të investojë 2.5 miliardë dollarë në prodhimin e hidrogjenit në ishullin Shumshu dhe është e interesuar ta marrë me qira sepse ka erë optimale për ndërtimin e gjeneratorëve.

Sekretarja e shtypit e Limarenkos, Svetlana Litvinova, tha më vonë se përdorimi i ‘vetëm një pjese të tokës’ po konsiderohet për projektin.

Trutnev shprehu gjithashtu nevojën për të krijuar një muze në ishull për të përkujtuar trashëgiminë e tij të kohës së luftës.

“Një nga betejat e fundit dhe më të rëndësishme të Luftës së Dytë Botërore në Lindjen e Largët u zhvillua në Shumshu,” tha ai, duke shtuar se qindra ushtarë të Ushtrisë Sovjetike humbën jetën.

Lufta Sovjeto-Japoneze përfundoi në shtator 1945, disa muaj pas dorëzimit të Gjermanisë naziste. Bashkimi Sovjetik më pas mori kontrollin e Sakhalinit Jugor dhe Ishujt Kuril. Tokio dhe Moska ende nuk kanë zgjidhur pretendimet mbi tokat, të cilat tani janë në zotërim të Rusisë dhe nuk kanë nënshkruar kurrë një traktat të duhur paqeje pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Në tetor, kryeministri i zgjedhur së fundmi i Japonisë, Fumio Kishida, tha se Japonia nuk do të pranonte të nënshkruante një traktat paqeje me Rusinë nëse të dy kombet nuk mund të zgjidhnin mosmarrëveshjen e tyre territoriale mbi Kurilet Jugore, një koleksion prej katër ishujsh – Iturup. Kunashir, Shikotan dhe Habomai – të cilat ishin pjesë e Japonisë para Luftës së Dytë Botërore.