Vendosni fjalën kyçe....

“Lekët i kam të deklaruara”/ Rrëfehet ish-shefja e kabinetit të Ahmetajt: Si e zbulova grabitjen


Alda Klosi, ish-shefja e kabinetit të Arben Ahmetajt në kohën kur ky ishte ministër Financash ka pohuar sot se lekët e vjedhura në banesën e saj nga pastruesja e djali i saj, i ka të deklaruara.

Në një intervistë ekskluzive për portalin 5pyetjet.al, ajo ka dhënë versionin e saj të ngjarjes duke theksuar se lekët që i janë grabitur i ka të deklaruara dhe se do i përdorte për kurimin e xhaxhait të sëmurë.

Lidhur me grabitjen, policia ka arrestuar pastruesen e shtëpisë Rozeta Dobi e të birin, Havier Dobi.

Gjatë kontrollit në banesën e tyre, policia ka gjetur rreth 405 mijë euro, 8500 dollarë e bizhuteri ari të fshehura në tubin e aspirimit.

Më poshtë është intervista e plotë e Alda Klosit dhënë për 5pyetjet.al.

Zonja Klosi, si është e vërteta e grabitjes?

“Lekët i kam të gjitha të deklaruara. Lekët i kisha për një rast fatkeqësie, për xhaxhin tim që e kam me tumor. Ndodhet në SHBA. I kemi gjetur, mbledhur lekët për këtë rast. Unë kam qenë në Amerikë. Denoncimin e bëra vetë.”

Sa kohë kishit që e kishit punësuar pastruesen?

“E kisha punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër në hapjen e derës. Ka inskenuar një skemë llahtari.”

Si e zbuluat?

“Nga kamerat.”

Çfarë tregojnë kamerat?

“Ka inskenuar vjedhjen. Banesa është hapur me çelës. Por ajo e inskenoi. Kishte inskenuar sikur ishte grabitje. Hedhur rrobat, shqyer dollapi.”

Dyshimet i kishit ju që e orientuat policinë te pastruesja?

“Jo, fare nuk më shkoi mendja. Por ngaqë ishin bërë disa grabitje në banesa. Jam ndjerë shumë keq. Më ka lënë një shije shumë të keqe. Plus edhe momenti, situata e rënduar, kam xhaxhain duke vdekur. Ato kanë qenë lekë për kurimin e tij. Nuk më ka shkuar mendja te ky person. Kjo grua ka punuar në 20 shtëpi të tjera prej shumë vitesh. E kanë kapur kamerat. Unë erdha kastile nga Amerika me urgjencë. Erdha pardje, shkova në polici dhe bëra denoncimin. Policia bëri një punë të palodhur. Ky njeri përbën një rrezik publik. Sa shumë familje mund të jenë dëmtuar. Sepse ajo punonte në shumë banesa. Por me denoncimin që bëra i bëra një të mirë komunitetit.”

Sa është shuma që pastruesja ju ka marrë ju?

“Shuma që sot njoftoi policia se ka sekuestruar nuk ka lidhje me mua. Vetëm shuma e djeshme. 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë.  Ajo e ka pranuar vetë që i ka marrë. Madje shumën e kam të deklaruar. Se po të ishte e kundërta nuk e bëja denoncimin. Shuma tjetër që është zbuluar sot nga policia mund të jetë marrë në shtëpi të tjera.”