Vendosni fjalën kyçe....

Dy foshnjave në Brazil u bëhen gabimisht vaksina Covid-19, shtrohen me urgjencë në spital


Dy foshnje braziliane kanë përfunduar në spital pasi një infermiere ngatërroi shishet dhe gabimisht i injektoi me vaksinën e koronavirusit Pfizer në vend të vaskinave të zakonshme për foshnjat e kësaj moshe.

Gabimi tronditës u raportua fillimisht nga media dhe u konfirmua zyrtarisht të dielën nga autoritetet lokale në komunën Sorocaba të shtetit Sao Paulo të Brazilit.

Një vajzë dy muajshe dhe një djalë katër muajsh kishin mbërritur në një institucion mjekësor në zonë të mërkurën e kaluar për të marrë vaksinën pesëvalente që mbron fëmijët nga Difteria, Pertusis, Tetanozi, Hepatiti B dhe Hib.

Megjithatë, menjëherë pas kthimit në shtëpi, foshnjat patën temperaturë të lartë, të vjella dhe refuzuan të pinin qumësht. Ilaçi që u dhanë nga prindërit e tyre nuk arriti të përmirësonte gjendjen e tyre.

Familjet u kontaktuan më pas nga autoritetet shëndetësore të Sorocaba, të cilët i njoftuan se foshnjave u ishte dhënë gabimisht vaksina Covid-19.

Foshnjat u vendosën në spitalin lokal Gpaci të enjten vonë. Ata tani thuhet se ndihen më mirë, por nuk do të mund të kthehen në shtëpi për disa kohë. Autoritetet lokale kontaktuan Pfizer dhe iu tha se fëmijët duhet të monitorohen për 10 deri në 15 ditët e ardhshme.

Personeli i kujdesit shëndetësor zbuloi se foshnjat morën vaksinën e gabuar një ditë pas injeksioneve ndërsa po kontrollonin rezervat e tyre të vaksinës. Infermierja përgjegjëse tha se i ngatërroi shishet sepse dukeshin shumë të ngjashme. Ajo është pezulluar në pritje të hetimeve.