Vendosni fjalën kyçe....

Lamallari prezanton kreun e ri të AMP-së: Ai duhet të vijojë me përkushtim këtë mision



Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, prezantoi sot drejtorin e ri të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qosen, i cili zëvendëson në këtë detyrë Eduart Merkajn.

Gjatë fjalës së tij, Lamallari falënderoi Merkajn për punën e deritanishme, duke vlerësuar përkushtimin dhe kontributin e tij në forcimin e rolit të agjencisë dhe konsolidimin e standardeve të llogaridhënies.

Ministri theksoi se drejtori i ri i AMP-së merr detyrën në një moment të rëndësishëm, ku kërkohet rritje e transparencës, forcim i kontrollit të brendshëm dhe garantim i standardeve më të larta profesionale në Policia e Shtetit.

“Ai duhet të vijojë me përkushtim këtë mision, duke çuar më tej punën për rritjen e transparencës, forcimin e kontrollit të brendshëm dhe garantimin e standardeve më të larta profesionale në Policinë e Shtetit”, u shpreh Lamallari.

Në reagimin e tij, ministri nënvizoi se angazhimi për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit mbetet i panegociueshëm.

“Kushdo që cenon besimin e qytetarëve dhe uniformën, nuk ka vend në radhët e saj. Ne do të vijojmë me forcimin e mekanizmave të kontrollit dhe ndëshkimit, duke mbështetur çdo hap që garanton një polici të pastër, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve”, deklaroi ai.