Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Do të hapim një shkollë profesionale për peshkimin


Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të buxhetit të vitit 2022 për peshkatarët ka deklaruar se do të ndërtohet një shkollë profesionale për peshkimin.

“Na duhet një shkollë, nuk diskutohet. Sepse sa më shumë ju po rriteni, keni problemin e specialistëve të nivelit të lartë. Na duhet të ndërtojmë shkollën profesionale në shërbim të industrisë dhe që të jetë e lidhur drejtpërdrejt me praktikën.

Këtu është ideale 2 ditë anije tre ditë në klasë për të krijuar gjithë e re të kapitenëve shqiptarë e të teknikëve shqiptarë.

Edhe për këtë duhet të fillojmë punën, duhet të përcaktojmë ku është vendi i duhur për shkollën dhe të fillojmë punën. Mund të jetë këtu shkolla profesionale e Peshkimit. S’kemi problem ta ndërtojmë një mjedis profesional me portin e Durrësit. Janë të lidhur më portin me kompanitë dhe se kanë problem, nga shkolla të fillojnë punën direkt.

Gjithë kjo eksperiencë e juaja që i përkisni gjeneratës së artë të peshkimit, nuk duhet të mbyllet duke ikur në shtëpi dhe të merni në pension. Do duhet që kjo dije të transferohet në një brez tjetër. Duhet të jetë një gjeneratë e re, ajo që do të marrë stafetën nesër në drejtimin e anijeve.”- u shpreh kryeministri Rama.

Gjatë fjalës së tij, Rama i ngarkoi disa detyra zv. Ministrit të Bujqësisë, Roland Kristo, të cilit i kërkoi më shumë angazhim për sektorin e peshkimit. Ai tha se brenda vitit duhet të fillojë ndërtimi i markatës së peshkut në Durrës.

“Duhet të tregosh që e meriton të qëndrosh aty si zëvendësministër dhe të na tregosh se sa është rritur peshkimi dhe sa anije janë rikonstruktuar me këtë fond. Këtu duhet të bëhet markata model, me standardet më të lartë të Bashkimit Europian. Të gjithë ju që jeni këtu, kush do të futet aksioner në këtë markatë të futet dhe të jetë e juaja. Ne do të garantojmë financimin, ju do fusni një pjesë të vogël, ne një pjesë të rëndësishme dhe pastaj pjesën tjetër do ta marrim me garanci sovrane. Menaxhimin do të bëni ju. Duhet të krijoni ju një autoritet më vetë. Vitin e ardhshëm duhet të vish këtu bashkë me mua të hapim themelet e markatës.”- tha Rama.

Duke iu drejtuar Kristos Rama shtoi: “Je një çun i zoti, punëtor, por ke rënë në gjumë. Të mbajmë Landin zgjuar, sinqerisht ke rënë në gjumë.”