Vendosni fjalën kyçe....

Videoja me persona të armatosur që futen në lokal, Salianji: Rama është gjunjëzuar para krimit


Deputeti i PD-së Ervin Salianji, ka reaguar lidhur me pamjet që kanë qarkulluar në medie, ku persona të maskuar dhe të armatosur futen në një lokal në Lezhë.

Salianji shprehet se dhuna e çdo forme po shpërfaqet në çdo cep të territorrit ndërkohë institucionet ligjzbatuese sipas tij komandohen nga bandat.

“Ndërkohë Shqipëria nuk po gjen qetësi nga ngarjet kriminale Rama dhe qeveria e tij është gjunjëzuar para krimit!

Vrasjet mafioze, grabitjet me armë si ajo e raportuar dje, dhuna e çdo forme po shpërfaqet në çdo cep të territorrit ndërkohë institucionet ligjzbatuese në rasrin më të mirë janë inekzistente në rastin e keq drejtohen dhe komandohen nga bandat!

Asnjë masë, asnjë reagim, dorëzim i plotë i territorrit në kontroll të bandave dhe sot justifikimi i turpshëm i Ramës se ngjarje të tilla ndodhin dhe ne kemi gjendje të kriminalitetit mesatar!!! Kur vjedh zgjedhjet me bandat detyrohet dhe të bëhet zëdhënës i tyre.”- shkruan Salianji.

Në videon e publikuar në disa medie mbrëmjen e djeshme, shihen tre persona të maskuar dhe armatosur të cilët kanë hyrë në ambientet e një lokali, duke kërcënuar katër persona që ishin në një tavolinë.

Sipas pamjeve të sigurisë, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës të datës 13 nëntor, në një lokal në rrugën e vjetër Lezhë-Milot.

Personat me automatik në krah iu kërkojnë të rinjve mjetet e identifikimit dhe pasi i shohin identitetin dalin nga lokali dhe largohen. Janë të paqarta motivet e këtij incidenti, pasi asgjë nuk është vjedhur brenda në lokal.