Vendosni fjalën kyçe....

Rama i tërheq vëmendjen zv.ministrit të Bujqësisë: Ke rënë në gjumë, duhet të tregosh se e meriton postin


Kryeministri Edi Rama këtë paradite i ngarkoi disa detyra zv. Ministrit të Bujqësisë, Roland Kristo, të cilit i kërkoi më shumë angazhim për sektorin e peshkimit. Ai tha se brenda vitit duhet të fillojë ndërtimi i markatës së peshkut në Durrës.

Ai e kritikoi Kriston duke thënë se pavarësisht se është një djalë punëtor, ka rënë në gjumë.

“Duhet të tregosh që e meriton të qëndrosh aty si zëvendësministër dhe të na tregosh se sa është rritur peshkimi dhe sa anije janë rikonstruktuar me këtë fond.

Këtu duhet të bëhet markata model, dhe bashkë me drejtorin e portit duhet të ulesh edhe me ta dhe e gjithë kjo duhet të bëhet aksesibël për qytetarët.

Një markatë që të jetë me standardet më të lartë të Bashkimit Europian. Është detyra jote dhe gjëja më e mirë është që kjo merkatë të jetë në bashkëpunim. Të gjithë ju që jeni këtu, kush do të futet aksioner në këtë markatë të futet dhe të jetë e juaja. Ministria t’ju mbështesë.

Ne do të garantojmë financimin, ju do fusni një pjesë të vogël, ne një pjesë të rëndësishme dhe pastaj pjesën tjetër do ta marrim bashkarisht me garanci sovrane. Pastaj kjo shoqëri që do krijoni do shlyhet ndër vite dhe s’do ngarkohet mbi ju. Menaxhimin do të bëni ju. Duhet të krijoni ju një autoritet më vetë. Merrni ekspertë të huaj. Shkoni e gjejini ku janë më të mirët. Caktoni një drejtor që të jetë me eksperiencë ndërkombëtare. Vitin e ardhshëm duhet të vish këtu bashkë me mua të hapim themelet e markatës. Në rregull, një vit kohë ke.”- tha Rama.

Duke iu drejtuar Kristos Rama shtoi: “Je një çun i zoti, punëtor, por ke rënë në gjumë. Merrjani numrin e telefonit dhe para se të dilni në det çojini mesazh të gjithë, mbyteni me mesazhe: ‘O Land zgjohu’. Sinqerisht ke rënë në gjumë”.