Vendosni fjalën kyçe....

“Asgjë e mirë nuk del nga kjo”- Putin nuk e mbështet Bjellorusinë në kërcënimin për të bllokuar furnizimin me gaz të BE-së


Presidenti rus Vladimir Putin ka refuzuar të mbështesë homologun e tij bjellorus, Aleksandër Lukashenko, për të mbyllur rrjedhën e gazit natyror nga Rusia në Bashkimin Evropian.

Putin tha se habitur nga paralajmërimi i Lukashenkos për të ndërprerë eksportet përmes territorit Bjellorusi, nëse Brukseli godet Minskun me më shumë sanksione.

“Asgjë e mirë nuk do të dalë prej kësaj.”- tha udhëheqësi rus për kanalin televiziv të Moskës Rossiya-1 të shtunën, citon RT.

Ai shtoi se Lukashenko nuk e kishte paraqitur këtë ide të mbylljes së tranzitit të gazit në fillim të këtij muaji, kur dy udhëheqësit folën në telefon dhe morën pjesë në një aktivitet online së bashku.

“Kjo do të jetë një shkelje e marrëveshjes sonë të tranzitit dhe shpresoj se nuk do të vijë puna deri te kjo.”- tha Putin. “Do të shkaktojë dëme të mëdha në sektorin energjetik të Evropës dhe nuk do të ndihmojë në zhvillimin e marrëdhënieve tona me Bjellorusinë si vend tranzit”.

Putin premtoi se do të diskutonte kërcënimet mbi furnizimin me gaz me Lukashenkon nëse është e nevojshme.

Kujtojmë se presidenti bjellorus tha të enjten se, kur të shqyrtojnë sanksionet, liderët evropianë duhet të kujtojnë se ai mund të “ndërpresë” rrjedhën përmes tubacionit Yamal-Europe, i cili dërgon gaz nga Gadishulli rus Yamal dhe Siberia Perëndimore në Gjermani dhe shtete të tjera të BE-së.

Brukseli po akuzon Bjellorusinë se ka ndihmuar refugjatët nga Lindja e Mesme të mbërrijnë në territorin e tij dhe më pas i shtyn ata të kalojnë në BE. Më shumë se 2 mijë azilkërkues të mundshëm janë mbledhur në kufirin Bjellorusi-Poloni, duke përballuar të ftohtin e nëntorit dhe gazin lotsjellës të hedhur nga rojet kufitare polake.

Të hënën, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u kërkoi vendeve anëtare të BE-së të miratojnë sanksione shtesë mbi atë që ajo tha se ishte një “sulm hibrid” ndaj bllokut.

Bjellorusia ka akuzuar BE-në se ka nisur luftën e saj hibride kundër Minskut duke mbështetur figurat dhe mediat e opozitës bjelloruse.