Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Basha të mos fshihet pas SHBA-së, bashkë me Bardhin të ndalin shantazhet ndaj degëve të PD-së


Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi ka deklaruar mbrëmjen e sotme se kreu i partisë Basha nuk duhet të fshihet pas SHBA-së lidhur me vendimet e marra prej tij.

Gjatë një interviste në emisionin Kontrast në Report TV, kryetarja e LDG-së në detyrë, tha se zgjedhjet në organizatat partnere si FRPD e LDG bëhen nëpërmjet statuteve respektive e jo të komanduara nga PD-ja duke denoncuar kryedemokratin se kërkon t’i uzurpojë organizatat në fjalë.

“Zoti Basha ka thënë se vendimi ka qenë personali i tij, ndaj nuk ka pse fshihet sot pas Amerikës. Zënia apo uzurpimi i hapësirave që nuk i takojnë, siç është shpallja e zgjedhjeve, nuk i takon. Për më tepër që PD është e përfshirë në zgjedhje në çdo degë, ka qenë vetë zoti Bardhi present. Lidhja Demokratike e Gruas e ka kryer procesin e vet. Vetëm duhet Kuvendi tashmë dhe e zgjedh Kuvendi, e zgjedhin gratë. Pra dëshira për të uzurpuar çdo pozicion ka çuar në këtë situatë në PD. Tani është sovrani, anëtarë, që të vendosin se kush duhet të jetë kryetar i PD. Me sa duket zoti Basha është në minorancë. Kush ka shumicën pastaj, formon qeverinë. SHBA janë të detyruara pastaj të vendosin marrëdhënie me qeverinë” – tha Vokshi.

Ajo shtoi më tej se në PD ka pasur një përpjekje për të përjashtuar Agron Shehajn gjatë zgjedhjeve për kreun e partisë që u zhvilluan gjatë verës.

Po kështu ajo u bëri thirrje kreut të partisë Basha e Sekretarit Bardhi që të mos i shantazhojnë më degët e anëtarët e PD-së.

“Ju e dini që donin të përjashtonin Agron Shehajn nga gara, ndërkohë që ai mori 15 përqind të votave. Përse nuk shkon në Kuvend Lulzim Basha dhe të garojë përballë Berishës? Le të votëbesohet edhe tek anëtarësia, se po e thërret 60% e anëtarësisë. Ne zgjodhëm Edi Palokën për të dorëzuar firmat sepse Këshilli Kombëtar është i vetmi forum i konstituuar. Një gruaje kryetari i degës i ka bërë shantazh ndërkohë që i ka ofruar një vend pune në bashkinë e Durrësit. Se çfarë aksesi kanë njerëzit e Bashës në bashkinë e Durrësit.” – tha ajo.

Vokshi pohoi gjithashtu se Sali Berisha ka qenë i vetmi në grupin parlamentar që nuk ka qenë dakord me djegien e mandateve. Po kështu ajo tha se Basha po hesht për masakrën elektorale.

“Unë di që në Grupin Parlamentar, Sali Berisha ka qenë i vetmi që nuk ishte dakord 100% për djegien e mandateve. Ai tha se para këtij hapi ka aksione të tjera me protesta të pandalshme e të tjera. Pra unë nuk e besoj që ka qenë zoti Berisha pas këtyre vendimeve. Zoti Berisha është i qartë në këtë pjesë, ka qenë masakër elektorale sepse nuk u ndëshkuan ata që u përfshinë në krimet elektorale. Janë arrestuar disa komisionerë, që janë të fundit fare në listën e fajtorëve. Çdo ditë e më shumë djegia e mandateve ka rezultuar se dalja nga institucionet ishte e gabuar sepse nuk funksionon. Do të funksionte nëse do të kishte rregulla loje, por Edi Rama nuk i ndjek ato.” – tha Vokshi.