Vendosni fjalën kyçe....

Vlerësimi për Joe Biden bie sërish, Kamala Harris akoma më keq se presidenti në sondazhe


Vlerësimi i miratimit të presidentit amerikan Joe Biden ka rënë në nën 38% sipas një sondazhi të ri të USA Today, i cili gjithashtu zbulon se shumica e amerikanëve të anketuar nuk duan që ai të kandidojë përsëri për president.

Një sondazh i USA Today dhe Universitetit Suffolk me 1,000 votues të regjistruar në SHBA javën e kaluar zbuloi se vetëm 37.8% e votuesve e miratojnë ‘punën që Biden ka bërë si president’, me 59% që nuk pajtohen se presidenti ka bërë një punë të mirë.

Edhe më pak amerikanë e miratojnë zëvendëspresidenten Kamala Harris. Vetëm 27.8% e të anketuarve besojnë se Harris ka bërë një punë të mirë, me 21% të pavendosur, sipas sondazhit.

Në mesin e votuesve të pavarur, 44% thanë se Biden ka punuar më keq si president nga sa prisnin, dhe 64% e amerikanëve – duke përfshirë 28% të demokratëve – thanë se nuk duan që Biden të kandidojë përsëri për president.

Sondazhi tregon se amerikanët janë edhe më shumë kundër që Biden të kandidojë sërish për president sesa kanë qenë me ish-presidentin Donald Trump.

Të anketuarit thanë se kishin më shumë gjasa të votonin për një kandidat republikan të Kongresit se sa demokrat nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot (46% me 38%).

Rezultatet e sondazhit janë një tjetër goditje e madhe për Partinë Demokratike pas humbjeve të rënda në zgjedhje javën e kaluar, ku përfshihej kandidati republikan për guvernator të Virxhinias, Glenn Youngkin, i cili mundi demokratin Terry McAuliffe.