Vendosni fjalën kyçe....

Protestat kundër grushtit të shtetit në Sudan, tre protestues të vrarë


Forcat e sigurisë të Sudanit kanë vrarë të paktën tre persona, gjatë protestave kundër grushtit të shtetit.

BBC shkruan se mijëra njerëz marshuan në kryeqytetin Khartoum dhe qytete të tjera të shtunën, duke kërkuar rikthimin e kryeministrit të rrëzuar Abdullah Hamdok.

Ministria e Brendshme mohoi që të ishin lëshuar breshëri të drejtpërdrejta. Aktivistët thonë se rreth 100 njerëz u plagosën.

Udhëheqësi i grushtit të shtetit, gjenerali Abdel Fattah Burhan shpërndau Parlamentin këtë javë. Gjenerali, i cili gjithashtu shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, tha se veprimet e tij ishin të justifikuara për të shmangur “luftën civile” dhe për të ndaluar grindjet e brendshme politike.

Demonstruesit në Khartoum u panë duke marshuar me flamuj sudanez dhe duke brohoritur: “Jo sundimit ushtarak!”

“Njerëzit këtu janë shumë paqësorë. Këto protesta do të vazhdojnë të jenë paqësore edhe kur përballen me armë.”- tha për BBC-në Shaheen al Shaheef, një anëtar i Komitetit të Rezistencës në Khartoum. “Megjithatë, ne e kuptojmë situatën aktuale të gjeneralit Burhan – ai ka humbur të gjithë mbështetjen e tij. Ky është me të vërtetë një grusht shteti me një person, nuk ka asgjë, askush tjetër për ta mbështetur atë.”

Komiteti Qendror i Mjekëve të Sudanit, një organ i pavarur, tha se tre protestues kishin vdekur pasi u qëlluan me plumba të vërtetë në qytetin e Omdurman.

Por ministria e brendshme mohoi përdorimin e armëve dhe akuzoi disa protestues se sulmuan policinë. Më shumë se 10 protestues kanë vdekur në përleshjet me forcat e sigurisë këtë javë.

Autoritetet sudaneze kanë ndërprerë internetin dhe komunikimet e tjera, si dhe kanë vendosur kufizime në lëvizjen e qytetarëve.