Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Manovrat e Serbisë në kufirin me Kosovën, shfaqje teatrale. Reciprociteti i targave e drejtë e Kosovës


Kryeministi i Shqipërisë Rama tha gjatë konferencës për shtyp me homologun e tij Kurti në Prishtinë, se ardhja e tankeve dhe e mjeteve ajrore serbe në kufirin me Kosovën është një shfaqje teatrale nga ana e Beogradit.

Ai theksoi se shfaqja e gjeneralëve serbë risjellin fantazmat e së shkuarës në rajon dhe se Kosova është në të drejtën e saj për reciprocitetin e targave por njëkohësisht i bëri thirrje që të bëjë çmos për të qetësuar situatën në veri të vendit dhe se problemi duhet zgjidhur me bisedime.

“Çështja e njohjes përfundimtare të Kosovës ishte përparësi e vizitës së Shqipërisë në OKB. Serbia duhet ta njohë këtë realitet të pakthyeshëm dhe është për të ardhur keq që në vend të dialogut e çlirimit nga e shkuara jemi dëshmitarë të manovrave teatrale të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës. Me ata gjeneralët që sikur kanë dalë nga varri me pretendimi se po mbrohet integriteti e siguria e serbëve në Kosovë. Serbët në Kosovë jetojnë të pakërcënuar nga askush. Ato manovra risjellin në skenë fantazmat e së shkuarës. Reciprociteti i targave është normë. E drejta këtu është me Kosovën dhe është një marrëveshje e dakordësuar mes dy vendeve. Problemi duhet të zgjidhet me dialog.”  – tha Rama.