Vendosni fjalën kyçe....

Igli Cara premtim ndryshe: Në bashkinë e Durrësit do ketë turn të dytë pas orës 16:00 për t’iu shërbyer qytetarëve


Kandidati i opozitës për Durrësin Igli Cara theksoi sot disa nga problematikat më urgjente me të cilat përballet qyteti duke u zotuar për punë me ritëm të lartë për rregullimin e tyre.

Ai ishte i ftuar në emisionin ‘Koha për t’u zgjuar’ në Neës24 ku iu përgjigj shqetësimeve të qytetarëve.

Cara tha se çështja e ujit të pijshëm është emergjente ndërsa theksoi se në bashki do ketë një turn të dytë për t’iu ofruar shërbim qytetarëve pas përfundimit të orarit zyrtar në 16:00.

Ai tha gjithashtu se problem në Durrës është edhe trafiku i rënduar, kanalizimet si dhe menaxhimi i mbeturinave.

“Fushata në Durrës ka muaj që ka nisur. Besoj që ia kemi arritur që të takojmë të gjithë banorët. Një nga gjerat që dua të them, të bëj një premtim, është se ndryshe siç ka ndodhur në këto 23 vite, bashkia e Durrësit do jetë derë e hapur dhe pas orës 08:00-16:00. Qytetarët detyrohen që të lënë dhe punën për të shkuar në bashki, se në ato orare janë të zënë. Pra do të ketë dhe një turn të dytë, deri në orët e vona të natës për qytetarët në bashkinë e Durrësit. Po ashtu problematike është dhe mungesa e infrastrukturës, apo dhe uji i pijshëm. Shumë qytetarë ankohen se nuk kanë fare ujë për ditë të tëra, apo dhe për disa orë. Në Durrës kemi dhe një trafik të rënduar. Po ashtu do të bëjmë seleksionim të mbetjeve që në mbledhje të tyre dhe do të ulim peshën financiare për të cilën paguajmë. Brenda 4 viteve do të jetë një problem i së shkuarës për ujin e pijshëm. Qytetarët e Durrësit nuk do të kenë më këtë problem. Edhe për çështjen e kanalizimeve është një gjë që bëhet.” – tha kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’, Igli Cara.