Vendosni fjalën kyçe....

Aktivisti Aulon Kalaja dhe grupi i vullnetarëve ndihmojnë me mjete shkollore fëmijët e banorëve të prekur nga tërmeti (FOTO)


Paraditen e sotme, grupi i vullnetarëve me në krye aktivistin Aulon Kalaja, organizuan një fushatë për të ndihmuar fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, grupi i aktivistëve vizituan fëmijët në shkollat e Shpërdhetit në Mamurras, në Fushë-Krujë, Bubq dhe Kodër Mallkuç, duke iu dhuruar atyre mjete shkollore.

Në pakot e dhuruara janë çanta dhe sende të ndryshme shkollore që do iu duhen fëmijëve, që të hënën nisin mësimin.

“Sot kemi vendosur që t’i ndihmojmë me çanta dhe sende shkollore, duke përgatitur disa pako shumë të rëndësishme për nisjen e vitit të ri shkollor.

Në emër të grupit vullnetar që kemi marrë këtë iniciativë, dua të falenderoj të gjithë ata që kontribuuan për këtë kauzë. Ne kemi zgjedhur disa shkolla domethënëse për të bërë këtë lloj shpërndarjeje të këtyre sendeve dhe çantave shkollore. Kemi qenë në mëngjes në Shpërdhet, në shkollën afër Mamurrasit, ndërkohë jemi në shkollën dhe në kopshtin e Bubqit, më vonë do të jemi në Fushë Krujë dhe në fund e mbyllim me një shkollë shumë të largët siç është shkolla e Kodër Mallkuçit, apo shkolla e Tarinës. Natyrisht që është momenti për të kthyer sytë nga fëmijët e familjeve të prekura nga tërmeti , tek familjet e prekura nga tërmeti të cilat sot përjetojnë dhe po futen në dimrin e tretë. Një pjesë e tyre jetojnë në çadër, një pjesë e tyre jetojnë në kontenierë, një pjesë e tyre nuk kanë para për të blerë mjetet dhe sendet shkollore, të cilat fëmijët jua kërkojnë.”- deklaroi aktivisti Aulon Kalaja, i cili i ka vizituar disa herë familjet e prekura nga tërmeti në këto zona, që nga tërmeti i 26 Nëntorit të 2019-ës.

Për këtë kauzë kontribuuan qytetarë të ndryshëm. Kjo nuk është hera e parë që aktivistët ndihmojnë banorët e prekur nga tërmeti. Dy vite më parë ata çelën një qendër vullnetare në Bubq, ku hapën mensë, shpërndanë veshmbathje dhe konteinerë banimi dhe ku shërbyen për 90 ditë me radhë.