Vendosni fjalën kyçe....

Kosova pret dy grupe me shtetas afganë ditën e sotme


Autoritetet njoftuan se të martën mbërritën në aeroportin e Prishtinë dy grupe me shtetas afganë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të afganëve në Kosovë në 355.

Më herët gjatë ditës autoritetet njoftuan se në orët e para të së martës një grup prej 113 afganëve që mbërriti në Kosovë, u sistemua në një kamp në afërsi të Ferizajt.

Në Kosovë deri më tani kanë mbërritur tre avionë me shtetas afganë, të cilët do të strehohen në vend përkohësisht si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve nga 355 shtetasit afganë që kanë ardhur deri tani në Kosovë, shumica janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar për misionin e NATO-s.

“Sikur në dy rastet e mëhershme ata do të procedohen bazuar me ligjet dhe vendimet e qeverisë së Kosovës dhe do të vendosen për strehim në ish kampin e Bechtel-Enkas në afërsi të Ferizajt”, tha të martën Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ai tha se deri më tani asnjë nga qytetarët afganë nuk është i infektuar me COVID-19, ndërsa paralajmëroi vaksinimin e tyre.

“Tashmë kemi filluar përgatitjet për vaksinimin e tyre me vaksina Johnson & Johnson të cilat janë ofruar nga shtetet e NATO-s, do të thotë ata kanë marr obligim që të bëjnë vaksinimin e këtyre personave gjithmonë në koordinim me institucionet e Kosovës”, shtoi zoti Sveçla, raporton VOA.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se do të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë afganë derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Më 16 gusht, qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën “për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për Viza të Veçanta Imigruese (SIV) – të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë familjet e tyre”.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të strehojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët janë të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, të cilët morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.