Vendosni fjalën kyçe....

BE: Irani i gatshëm të fillojë bisedimet për programin bërthamor


Irani është i gatshëm të kthehet në tryezën e bisedimeve për programin bërthamor në fillim të shtatorit, ka thënë një zyrtar i lartë i Bashkimit Evropian në kushte anonimiteti. Agjencitë e lajmeve AFP dhe DPA raportuan më 7 gusht se Irani ka dhënë garanci se bisedimet do të rifillojnë në Vjenë.

Zyrtari evropian tha se negociatori i BE-së për këtë çështje, Enrique Mora, mori pjesë në betimin e presidentit të ri iranian, Ebrahim Raisi, në Teheran javën e kaluar, dhe atje ka biseduar me zyrtarin iranian të caktuar për të udhëhequr bisedimet, Hossein Amir-Abdollahian. Zyrtari i BE-së tha se Amir-Abdollahian është planifikuar të jetë ministri i ri i Jashtëm në kabinetin e Raisit.

“Iranianët thanë se duan të kthehen në tryezën e bisedimeve, jo vetëm për bisedime, por për të arritur një marrëveshje. Ata duan një sukses”, tha zyrtari i BE-së.

Më 5 gusht, Shtetet e Bashkuara i kërkuan Iranit të kthehej në bisedimet e Vjenës të cilat synojnë ringjalljen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila kishte kufizuar programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit që sa më shpejt të kthehet në negociata”, pati thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price.