Vendosni fjalën kyçe....

Rritet në 133 numri i viktimave nga përmbytjet në Gjermani


Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Gjermani ka arritur në 133 të shtunën, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve nga përmbytjet në Evropë në 153.

“Sipas informacionit aktual, 90 njerëz humbën jetën gjatë katastrofës”- tha policia në rajonin e Rhineland-Palatinate, që ka qenë një nga më të goditurit. 43 persona të tjerë kanë vdekur në rajonin fqinj Nordrhein-Westfalen dhe 20 viktima të tjera janë shënuar në Belgjikë.

Në rajonet gjermane perëndimore, rrugët dhe shtëpitë u përmbytën nga uji në disa zona, ndërsa makinat u përmbysën nga ujërat e përmbytjes që vinin me vërshim. Disa rrethe u shkëputën plotësisht nga bota e jashtme, sikurse raportojnë mediet lokale.

“Gjithçka ishte nën ujë brenda 15 minutash.”- tha për AFP Agron Berischa, një dekorues 21-vjeçar në shtetin Rhineland-Palatinate.  “Banesa jonë, zyra jonë, shtëpitë e fqinjëve tanë, gjithçka ishte nën ujë.”

“Ne kemi jetuar këtu në Schuld për më shumë se 20 vjet dhe nuk kemi provuar kurrë diçka të tillë. Është si një zonë lufte.”- tha një banor i Schuld, Hans-Dieter Vrancken.

Ministri i brendshëm në landin e Rheinland-Palatinate, Roger Lewentz tha se numri i të vdekurve kishte gjasa të rritet ndërsa shërbimet e urgjencës vazhdojnë kërkimin në zonat e prekura.