Vendosni fjalën kyçe....

Kapet duke shpërndarë drogë 18-vjeçari në Rrëshen, i gjendet dhe armë në banesë


Policia e Kurbinit ka vijuar kontrollet e befasishme në akse rrugore, lokale dhe ambiente të ndryshme, për kapjen e personave në kërkim, të atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Gjatë këtyre kontrolleve, në qytetin e Rrëshenit u kap një 18-vjeçar që akuzohet se shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla.

“Në zbatim të Planit të Masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, gjatë kontrolleve të ushtruara në gjithë qarkun Lezhë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan shtetasin K. N., 18 vjeç, banues në Mirditë.

Në qytetin e Rreshenit, shërbimet e Policisë gjatë kontrollit fizik i gjetën 18-vjeçarit doza me lëndë narkotike canabis sativa që dyshohet se do t’i shiste në qytet.”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas uniformave blu, gjatë kontrollit në banesën e 18-vjeçarit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe një armë zjarri automatik me krehër me 30 fishekë.