Vendosni fjalën kyçe....

“Asnjë shqiptar i prekur nga përmbytjet në Gjermani” – Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme


Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka informuar se nuk ka asnjë shtetas shqiptarë të prekur nga përmbytjet në Gjermani deri më tani.

Në një njoftim për mediet, bëhet me dije se ky po e ndjek me vëmendje situatën e përmbytjeve në Evropën Perëndimore ndërsa u vihen në dispozicion qytetarëve shqiptarë numrat e telefonit të përfaqësive diplomatike në vendet e prekura nga moti i keq.

 “Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po ndjek me vëmendje situatën e përmbytjeve në Evropën Perëndimore, ku deri më tani janë raportuar humbje të mëdha jete në Gjermani dhe Belgjikë dhe ka pasur dëme materiale në Holandë, Luksemburg dhe Zvicër.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka dhe përfaqësitë diplomatike shqiptare në këto vende janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase.
Deri më tani , bazuar në informacionet që përditësohen orë pas ore nuk ka asnjë raportim për shtetas shqiptarë të prekur nga situate e motit të keq.

Për të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Gjermani, Belgjikë, Holandë dhe Zvicër lutemi të kontaktoni me ambasadat e Republikës së Shqipërisë në numrat e emergjencës si më poshtë:
Ambasada e RSH-së në Berlin: +49 174 8619587
Ambasada e RSH-së në Belgjikë: + 0032485401237
Ambasada e RSH-së në Holandë: +31616275159
Ambasada e RSH-së në Zvicër: +41774099729”-
thuhet në njoftim.

Reshjet rekord në Evropën Perëndimore të ditëve të fundit kanë bërë që lumenjtë të dalin nga shtrati, duke sjellë përmbytje në disa shtete, si Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu. E akoma më shumë shi është parashikuar në të gjithë rajonin të Premten.

Gjermania është shteti më i prekur, ku numri i viktimave ka shkuar në 81 dhe raportohen mbi 1 mijë të zhdukur deri më tani.