Vendosni fjalën kyçe....

E moshuara belge vdes pak ditë pasi u infektua me dy variante të ndryshme të koronavirusit në të njëjtën kohë


Një paciente e moshuar në Belgjikë ka humbur jetën menjëherë pasi ishte testuar dhe kishte rezultuar pozitive me dy lloje të ndryshme të koronavirusit. Studiuesit thonë se ajo ka të ngjarë ta ketë marrë virusin nga dy njerëz të ndryshëm.

Rasti u raportua nga shkencëtarët belg në Kongresin Evropian të Mikrobiologjisë Klinike dhe Sëmundjeve Infektive, i cili u zhvillua online këtë vit.

Siç shkruan RT, një grua 90-vjeçare u shtrua në një spital në Aalst, në Belgjikë në fillim të Marsit pasi ishte rrëzuar disa herë. Ajo doli pozitive për Covid-19 në të njëjtën ditë. Ajo jetonte vetëm, merrte kujdesin infermieror në shtëpi dhe nuk ishte vaksinuar.

Pacienti fillimisht kishte një nivel “të mirë” oksigjeni dhe pa probleme me frymëmarrjen. Sidoqoftë, frymëmarrja e saj u përkeqësua shpejt dhe vdiq pesë ditë më vonë.

Gjatë trajtimit, mjekët zbuluan se pacienti ishte infektuar me të dy variantet Alpha dhe Beta të Covid-19, të njohura më parë përkatësisht si llojet e Mbretërisë së Bashkuar dhe të Afrikës së Jugut.

“Kjo është një nga rastet e para të dokumentuara të bashkë-infeksionit me dy variante shqetësuese të SARS-CoV-2.”- tha Anne Vankeerberghen, autorja kryesore e raportit dhe biologe molekulare në Spitalin OLV në Aalst. Studiuesja tha që pacientja me siguri kishte kontraktuar dy lloje të ndryshme virusesh nga dy njerëz të ndryshëm, pasi që të dy Alpha dhe Beta ishin të pranishëm në Belgjikë në atë kohë.

“Për fat të keq, ne nuk e dimë se si ajo ishte infektuar.”– tha Vankeerberghen. Ajo shtoi se ishte e vështirë të thuhej nëse bashkë-infeksioni luajti një rol në përkeqësimin e shpejtë të shëndetit të pacientes.