Vendosni fjalën kyçe....

KFOR ndërhyn në Zveçan për të shpërndarë protestuesit serbë (Video)


Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit serbë, të tubuar para ndërtesës së komunës së Zveçanit.

Që nga mëngjesi i 29 majit, grupe të serbëve kanë protestuar në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Gjatë ndërhyrjes së KFOR-it janë dëgjuar shpërthime të shumta, teksa protestuesit janë parë duke hedhur sende në drejtim të trupave ndërkombëtare.

Po ashtu, një veturë është parë duke u djegur nga mjetet shpërthyese që janë hedhur.

Paraprakisht, trupat e KFOR-it kishin paralajmëruar protestuesit që të shpërndaheshin, por ata nuk u bindën.

Gazetarët në Zveçan raportojnë se një pjesë e madhe e protestuesve serbë janë shpërndarë pas ndërhyrjes së KFOR-it.

Pjesëtarët e KFOR-it kanë kërkuar nga protestuesit të largohen nga dy autoblinda të Policisë së Kosovës, të cilat i kanë blookuar në mes të turmës, por ata kanë refuzuar.

Për t’i shpërndarë KFOR-i ka hedhur gaz lotsjellës dhe pas kësaj protestuesit kanë nisur të hedhin shok-bomba dhe shishe në drejtim të pjesëtarëve të KFOR-it.

Kordoni i paqeruajtësve të KFOR-it, të pajisur për situata krize, vazhdon të mbetet para ndërtesës së komunës.

Më herët, protestuesit në Zubin Potok u shpërndan dhe paralajmëruan se do të protestojnë sërish të martën.

Ndërkohë që edhe protesta e serbëve para objektit të Komunës së Leposaviqit është duke vazhduar, edhe pse atje gjendja është më e qetë.

Protestuesit nuk u janë përgjigjur thirrjeve për të KFOR-it për t’u shpërndarë në mënyrë të qetë.

Gjatë ditës ka pasur disa inicdente në veri, përfshirë edhe ndërhyrjen e policisë për të larguar protestuesit, që tentuan të hynin në ndërtesën e komunës së Zveçanit.

Të hënën, KFOR bëri të ditur se ka shtuar prezencën në këto tri komuna, ku që nga 26 maji janë rritur tensionet.

Ky mision tha se në linjë me mandatin që ka është i gatshëm “të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme”.

Për t’u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën më 23 prill, në procesin zgjedhor që u bojkotua nga Lista Serbe.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL.