Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi: Pasi kapi AKEP-in e TVSH-në, Rama po kap në mënyrë të paligjshme dhe AMA-n, të ndalojë menjëherë


Partia Demokratike ka denoncuar përpjekjen e qeverisë për kapjen e Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA).

Në një deklaratë nga selia blu, Albana Vokshi tha se Rama do të emërojë në këtë institucion militantë partiakë e në shkelje të ligjit.

“Vjedhja e mandateve përmes blerjes së votave në të gjithë Shqipërinë po sjell kapjen totale të shtetit në çdo qelizë të saj nga aleanca kriminale Rama-Doshi. Autoriteti i Medias Audiovizive, një institucion i pavarur sipas ligjit, po merret nën kontroll nga qeveria. Në ditët e fundit të mandatit, parlamenti ilegjitim, ka vendosur të hapë të ashtuquajturën garë për emërimin e militantëve partiakë, që nuk i shërbejnë interesit publik, por vetëm pushtetit të vjedhur të Edi Ramës. Garë nuk do të ketë edhe për faktin se në shkelje të ligjit, nga 30 ditë për paraqitjen e aplikimeve, lihen në dispozicion vetëm 20 ditë për aplikimet për kryetar, duke treguar qartë për një vendim të paracaktuar.” – tha Vokshi.

Demokratja shtoi më tej se vendimi për të emëruar anëtarët e AMA-s nga parlamenti i tanishëm është i paligjshëm e shkon kundër rekomandimit të Komisionit të Venecias.

Ajo thekson se sipas Komisionit të Venecias, AMA duhet të sigurojë në përbërjen e saj se ka autonomi nga kontrolli i qeverisë a korporatave.

“Vendimi për të emëruar anëtarët e AMA-s nga një parlament monopartiak është i paligjshëm, shkon kundër rekomandimit të Komisionit të Venecias dhe përkeqëson imazhin e Shqipërisë si një vend jodemokratik, ku liria e medias është në rrezik. Disa muaj më parë, Komisioni i Venecias rekomandoi në mënyrë të qartë se “përbërja e Autoritetit të Mbikqyrjes Audiovizive apo Komisionit të Ankesave duhet të sigurojë autonominë e tyre nga kontrolli i qeverisë dhe i korporatave. Ky rekomandim po shkelet hapur nga qeveria antidemokratike e Edi Ramës, duke shkuar drejt kapjes totale të të gjithë institucioneve që kanë lidhje me median për t’i mbyllur gojën kujtdo që denoncon vjedhjen e zgjedhjeve, vjedhjen me tenderat, bashkëpunimin e qeverisë së Edi Ramës me krimin e organizuar.” – shton Vokshi në deklaratën e saj.

Në fund të denoncimit, Vokshi tha se Rama kontrollon tashmë AKEP-in e Këshillin Drejtues të TVSH-së e me një vendim antiligjor që prej 30 vitesh anëtarët e këtij këshilli i përkasin të gjithë PS-së.

Ajo bëri thirrje që kontrolli i plotë i institucioneve të medias nga qeveria të ndalojë menjëherë, në të kundërt Shqipëria rrezikon të kthehet si Bjellorusia e Lukashenkos.

“Autoritetin e Komunikimeve Elektronike, AKEP, Rama e kontrollon plotësisht përmes emërimit të shefit të protokollit. Këshillin Drejtues të Televizionit Publik Shqiptar, Rama e kontrollon plotësisht prej disa javësh. Me një vendim antiligjor, për herë të parë në 30 vjet, anëtarët e tij i përkasin të gjithë partisë në pushtet. Transmetuesi publik, që paguhet nga taksat e shqiptarëve, është shndërruar në transmetuesin e partisë shtet dhe njësoj si në diktaturë, do t’i shërbejë një njeriu të vetëm. Partia Demokratike kërkon të ndalojë menjëherë ky skenar antidemokratik i parlamentit monopartiak. Kontrolli i plotë nga qeveria i institucioneve të medias që duhet të jenë të pavarura, dëmton lirinë e medias, ushtron presion politik mbi televizionet dhe shantazhon gazetarët. Nëse skenari i kontrollit nga qeveria të Autoritetit Mbikqyrës Audioviziv dhe të çdo institucioni të pavarur që lidhet me mediat, avancon, nuk do të jetë e largët dita kur Edi Rama, njësoj si Llukashenko i Bjellorusisë, të burgosë gazetarët që nuk i kontrollon dot.” – mbyll denoncimin e saj Vokshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *