Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori gjerman i uron fitoren PS-së: Kodi i ri zgjedhor e kaloi testin, demokracia ka nevojë për opozitë të fortë parlamentare


Ambasadori gjerman Peter Zingraf ka reaguar mbi zgjedhjet në Shqipëri duke i uruar fitoren Partisë Socialiste.

Në deklaratën e tij ambasadori thotë se dita e zgjedhje ishte e qetë dhe thuajse e paqtë. Ai gjithashtu shkruan se kodi i ri e kaloi testin e parë.

Ndërsa për akuzat për shitblerje vote Ambasadori Zingraf thotë se duhet të trajtohen pa vonesë dhe që KQZ-ja dhe drejtësia të marrin përsipër përgjegjësitë.

Për opozitën Zingraf thotë se duhet të zhvillojë oponencë të fortë në parlament për shkak të nevojës së demokracisë.

Dita e zgjedhjeve të dielën e shkuar rrodhi e qetë dhe thuajse kudo e paqtë. Fakti, që një numër i madh qytetaresh dhe qytetarësh shqiptarë dhanë votën e tyre, bën të qartë dëshirën për të bashkëvendosur. Kodi i ri zgjedhor e kaloi me sukses testin e tij të parë.

Procesi zgjedhor vijoi përgjithësisht pa fërkime, administrata zgjedhore në nivel qendror dhe lokal bëri një punë të mirë – falënderimi im u takon atyre. Ne kemi ndjekur raportin paraprak të OSBE/ODIHR dhe jemi duke pritur atë përfundimtar. Të gjitha akuzat dhe ankesat, që kanë të bëjnë me zgjedhjet, mes tyre edhe ato për shitblejren e votës, duhet të trajtohen pa vonesë dhe me vendosmëri – në këtë pikë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe organet e drejtësisë duhet të marrin përsipër një përgjegjësi të rëndësishme. Vetëpërmbajtja dhe maturia e shumë kandidateve dhe kandidatëve ditën e zgjedhjeve meriton respekt. Unë shpresoj që të gjithë aktorët politikë të kenë edhe në të ardhmen një qasje konstruktive dhe bashkëpunuese ndaj njëri-tjetrit. Krahas kësaj presim që ata të njohin rezultatin e zgjedhjeve.

Për ne me rëndësi vendimtare është rruga e mëtejshme e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Unë pres që të gjitha partitë dhe aktorët politikë të kontribuojnë në mënyrë aktive në këtë drejtim dhe që përmes reformash të tjera të bëhen hapa përpara. Përgëzoj Partinë Socialiste për fitoren. Qeveria e saj do të ketë një funksion kyç në këtë proces reformash. Po kështu përgëzoj edhe Partinë Demokratike, e cila ka mundur të shënojë një rritje të konsiderueshme krahasuar me zgjedhjet e fundit. Një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë parlamentare si dhe për përfshirjen dhe kontributin e saj aktiv, për shembull në ligje dhe vendime që kërkojnë shumicë të cilësuar. Gjermania do të vazhdojë ta shoqërojë dhe mbështesë Shqipërinë edhe më tej në rrugën e saj.“

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *