Vendosni fjalën kyçe....

Shqipëria voton – Sa shqiptarë u drejtohen sot qendrave të votimit


Këtë të dielë Shqipëria zhvillon zgjedhjet parlamentare. Rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Procesi i votimit ka nisur.

Në këto zgjedhje, do të garojnë 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Partia Socialiste me në krye Edi Ramën kërkon mandatin e tretë qeverisës, ndërsa opozita kërkon të rikthehet në pushtet pas 8 vitesh.

Në këto zgjedhje, Partia Demokratike hyn në zgjedhje në një listë me partitë e vogla aleate, ndërsa ka firmosur edhe një koalicion paszgjedhor me Lëvizjen Socialiste për Integrim. 

Për herë të parë, pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, qytetarët do të mund të votojnë jo vetëm për partinë por dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit do të identifikohet nga një numër e jo emri i tij.

Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, doli dje në një konferencë për media, ku sqaroi qytetarët për mënyrën e votimit sot.

Celibashi tha se ka tre mënyra votimi, që do të konsiderohen të vlefshme, pasi në të kundërt vota e qytetarëve do të jetë e pavlefshme.

Me qëllim që vota të jetë e vlefshme, qytetari duhet të votojë me një nga tre mënyrat e bëra publike, votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin me shenjën e X ose + në kuadratin e bardhë; mund të zgjedh partinë ose koalicionin dhe vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie, që ai ka zgjedhur, me shenjën X ose + te kuadrati i numrit të kandidatit; votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin vetëm në një prej numrave, që i korrespondon kandidatit që ai parapëlqen, me shenjën X ose + në kuadratin e numrit, pa qenë nevoja të vendosë shenjë te kuadrati i partisë apo koalicionin, që ky kandidat i përket.

Ai shtoi se procesi i votimit do të nisë në orën 07:00 në të gjithë Shqipërinë dhe çdo vonesë do të shoqërohet me sanksione të forta.

Për herë të parë në Shqipëri do të aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi do të jenë të instaluara pajisje elektronike, të cilat do të kryejnë identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili do të mundësojë shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër.

Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, do të zbatohet projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit do të votojnë në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *