Vendosni fjalën kyçe....

“Zgjimi i Pranverës”, operacioni i fundit masiv i nazistëve në Luftën e Dytë Botërore (Fotot)


Pavarësisht se trupat sovjetike në pranverën e vitit 1945 ishin vetëm disa dhjetëra milje larg Berlinit, Hitleri vendosi të përqendronte forcën e tij kryesore të goditjes diku tjetër.

Në mëngjesin e 6 Marsit 1945, pas një bombardimi masiv artilerie, një ortek tankesh dhe këmbësorie gjermane u përplas në pozicionet Sovjetike në rajonin e Liqeneve Balaton dhe Velence dhe lumin Drava në Hungari. Ky ishte fillimi i Operacionit ‘Zgjimi i Pranverës’, që doli të ishte ofensiva e fundit e madhe gjermane e Luftës së Dytë Botërore.

Nga pranvera e vitit 1945, situata për Gjermaninë në Frontin Lindor ishte afër katastrofës: Ushtria e Kuqe ishte duke iu afruar Berlinit, vetëm 70 km nga qyteti. Ndërsa trupat Sovjetike po i afroheshin kryeqytetit gjerman, vetë gjermanët vazhduan sulmin shumë më në jug, në Hungari.

Qëllimi i tyre ishte të shtynin armikun përtej lumit Danub dhe të siguronin fushat e tyre të fundit kryesore të naftës në Hungarinë perëndimore dhe Austri. Humbja e tyre do ta bënte të pamundur për nazistët që të vazhdonin luftën.

Operacioni Zgjimi i Pranverës përfshiu një forcë të konsiderueshme prej 430,000 ushtarësh, më shumë se 800 tanke, 6,000 copë artilerie të rëndë dhe mortaja dhe mbi 800 aeroplanë. Ushtria e 6-të SS nën Gjeneralkolonelin Josef “Sepp” Dietrich do të shërbente si forca kryesore, pasi ishte risjellë posaçërisht nga Fronti Perëndimor.

Gjermanët në Hungari u përballën nga forcat e Frontit të 3-të Ukrainas, që numëronin mbi 400,000 ushtarë (përfshirë njësitë aleate bullgare dhe jugosllave), me 6.800 armë fushore dhe 700 aeroplanë. Mungesa e tankeve ishte një problem serioz. Të gjakosur nga betejat e dimrit për Budapestin, trupat sovjetike kishin vetëm rreth 400 në dispozicion.

Megjithëse planifikimi i Operacionit Zgjimi i Pranverës u mbajt në fshehtësi të rreptë, komanda e Ushtrisë së Kuqe, falë zbulimit, e dinte paraprakisht për këtë dhe miratoi një strategji të thelluar të mbrojtjes. Ofensiva gjermane pritej jo më vonë se mesi i marsit, vetëm drejtimi i sulmeve kryesore mbeti i panjohur.

Një rol vendimtar në humbjen gjermane luajti artileria anti-tank. Në mbrëmjen e 6 marsit, komandanti i grupit të Ushtrisë së Jugut, Gjenerali Otto Weller, raportoi te shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave Tokësore, Heinz Guderian: “Tanket vështirë se mund të lëvizin mbi terren për shkak të baltës së rëndë, dhe të gjitha rrugët bllokohen nga fushat e minuara dhe artileria e armikut. Njësitë e këmbësorisë nuk ishin në gjendje të bënin një përparim të shpejtë dhe luftimet e ashpra konsumuan sasi të mëdha municioni, duke i lënë ushtarët pa municion. Armiku po na priste dhe ishte përgatitur për ofensivën tonë, megjithëse nuk e dinte saktësisht se kur dhe ku do të ndodhnin goditjet kryesore.”

Pas disa ditësh beteje intensive, trupat gjermane, duke pësuar humbje të mëdha, arritën të thyejnë dy linjat e mbrojtjes Sovjetike. Komandanti i Frontit të 3-të Ukrainas, Marshalli Fjodor Tolbukhin, i bëri thirrje Shtabit të Përgjithshëm Sovjetik për ta lejuar atë të vendoste Ushtrinë e 9-të të Gardës në rezervë. Kërkesa e tij u refuzua (ushtria po ruhej për një ofensivë ndaj Austrisë) dhe ai u urdhërua të përdorte forcat që kishte në dispozicion.

Përkundër disa sukseseve të lokalizuara, ofensiva gjermane ngeci.

“Të gjitha shanset për sukses të madh kanë ikur.” – shkroi Heinz Guderian në kujtimet e tij

“Morali i deritanishëm i lartë luftarak i divizioneve SS tani është humbur. Një pjesë e formacione u tërhoqën kundër urdhrave.”

Duke humbur mbi 250 tanke në masakrën përreth liqenit Balaton, Ushtria e 6-të SS pushoi së qeni një forcë e konsiderueshme luftarake. Qysh në 16 Mars, të nesërmen pas përfundimit të Operacionit Zgjimi Pranveror, Ushtria e Kuqe nisi ofensivën e saj në Vjenë dhe së shpejti e gjithë Hungaria u pastrua nga trupat gjermane.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e RTBH


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *