Vendosni fjalën kyçe....

12 gjërat që mësuam nga intervista e Princit Harry dhe Meghanit


Intervista e shumëpritur e princit Harry dhe Meghan Markle-it me moderatoren Oprah Winfrey u prit me shumë kritika që para se të transmetohej, e po aq sa mbështetje vazhdon të marrë dhe kritika edhe pas transmetimit në SHBA.

Çifti ndau me moderatoren amerikane dhe me publikun, anën e tyre të historisë për jetën në Familjen Mbretërore.

Më poshtë mund të lexoni 12 deklarata që princi Harry dhe Meghan kanë bërë gjatë kësaj interviste, nga diskutimet mbi ngjyrën e lëkurës së djalit, tek marrëdhënia e prishur e Harryt me babanë e tij Charles, deri tek zbulimi i gjinisë së foshnjës që pop resin të vijë së shpejti në jetë.

1 – Diskutime mbi ngjyrën e lëkurës së Archie-t

Një nga pretendimet më të mëdha që doli nga kjo intervistë ishte se kishte patur “disa diskutime” brenda Familjes Mbretërore rreth asaj se sa e errët mund të ishte ngjyra e lëkurës e foshnjës së Meghan-it dhe Harry-t.

“Në ato muaj kur isha shtatzënë kishte shqetësime dhe biseda rreth asaj se sa e errët mund të ishte lëkura e tij kur lindi.”- tha Meghan.

Ajo tha se këto biseda, anëtarët e familjes mbretërore i kishin bërë me princin Harry, i cili ia kishte treguar më pas asaj. Por si Meghan dhe Harry, të dy refuzuan të tregonin se cilët ishin ata anëtarë të familjes mbretërore që i kishin bërë këto diskutime.

 

  1. Kate ishte ajo që e bëri Meghanin të qajë – jo e kundërta

Një histori që qarkulloi në gazeta disa vjet më parë ishte se Dukesha e Kembrixhit shpërtheu në lot për shkak të Meghanit, në prag të dasmës së kësaj të fundit me Harry-n.

Por Meghan i tha Oprah-s se e kundërta ishte e vërtetë. Ishte Kate ajo që e kishte bërë atë të qante.

“Disa ditë para dasmës Kate ishte mërzitur për veshjet e vajzave të luleve dhe kjo më bëri të qaj.”- tha Meghan. Ajo tha se Kate më vonë i kërkoi falje dhe solli lule dhe një shënim për t’u pajtuar me njëra tjetrën. Ajo tha se nuk po përpiqej të nxirrte kunatën e saj keq me këtë, tha se Kate ishte “një person i mirë” dhe thjesht donte të korrigjonte lajmet e rreme.

 

  1. Meghan tha se kishte dashur të vetëvritej

Meghan tregoi se sa e vetmuar u ndie pasi u bashkua me Familjen Mbretërore dhe humbi lirinë e saj.

“Kur u bashkova me atë familje, kjo ishte hera e fundit derisa erdhëm këtu që pashë pasaportën time, patentën time, çelësat e mi…” – tha ajo.

Dukesha e Sussex-it tha se shëndeti i saj mendor u përkeqësua aq shumë sa që “nuk donte të ishte më gjallë”. Madje tha se nuk kishin pranuar as t’i jepnin ndihmë.

“Unë shkova në institucion dhe thashë se duhej të shkoja diku për të marrë ndihmë, thashë se nuk e kisha ndjerë veten kurrë në atë mënyrë më parë dhe se kisha nevojë të shkoja diku. Më thanë që nuk mundem, se kjo gjë nuk do të ishte mirë për institucionin.”- tregoi Meghan.

  1. Meghan foli me një nga miqtë e Dianës

Emri i Princeshës Diana u shfaq shumë herë gjatë gjithë intervistës, një nga këto herë ishte kur Meghan tregoi se kishte kërkuar ndihmë nga një prej miqve të saj.

“Unë nuk e dija as kujt t’i drejtohesha.”- tha Meghan, për kohën kur po luftonte me vetminë e saj dhe dëshirën për të mos jetuar më. “Një nga njerëzit që kontaktova dhe me të cilin kam arritur të vazhdoj miqësinë, ishte një nga miqtë më të mirë të mamasë së burrit tim. Sepse kush tjetër mund ta kuptojë se si është në të vërtetë brenda?”- u shpreh ajo.

  1. Harry ndihet i zhgënjyer nga babai Charles

Oprah e pyeti princin Harry për marrëdhëniet me familjen e tij dhe veçanërisht me babanë e tij, Princin e Uellsit, dhe me vëllain, Dukën e Kembrixhit.

Në një moment, ai tregoi se babai i tij nuk i hapte më telefonin. E po ashtu se ndihej i zhgënjyer nga ai.

“Ndihem vërtet i zhgënjyer, sepse ai ka kaluar diçka të ngjashme.”- u shpreh Harry.

  1. Por marrëdhënia e çiftit me Mbretëreshën është e mirë

Harry tha se ai ka një marrëdhënie “me të vërtetë të mirë” me gjyshen e tij dhe ai ka folur me të më shumë gjatë vitit të fundit, sesa ka komunikuar për shumë vite. Madje ajo kishte komunikuar disa herë me video me djalin e tij Archie-n.

Meghan gjithashtu e vlerësoi Mbretëreshën dhe tha se ajo i dha asaj disa bizhuteri të bukura për fejesën e saj me Harry-n.

  1. Harry-t i ndërprenë financat

Në tremujorin e parë të vitit 2020, Harry tha se familja e tij “më preu financiarisht”.

Ai tha se marrëveshjet me “Netflix” dhe “Spotify” që ai dhe Meghan kanë arritur nuk ishin kurrë pjesë e planit, por që atij iu desh për hir të familjes së tij të re. Po ashtu tregon se pa trashëgiminë e nënës së tij, nuk do ia kishin dalë.

“Por unë kam atë që nëna ime më la dhe pa atë nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë.”- tregon Harry.

Çifti zbulon se pasi iu ndërprenë financat, miliarderi amerikan dhe manjati i medias Tyler Perry u dha atyre një shtëpi dhe u ofroi siguri vitin e kaluar, kur u zhvendosën nga Kanadaja në Kaliforninë e Jugut.

  1. E vërteta pas një fotografie

Meghan tha se mbrëmjen pasi ajo i rrëfeu Harry-t se kishte ndjenja e mendime vetëvrasëse, ata duhej të merrnin pjesë në një event zyrtar në Royal Albert Hall.

Meghan foli për një foto që i kujton asaj ndenjat e asaj mbrëmjeje, që e përndjek deri sot. Ajo tha se një mik i saj kishte komentuar se sa i mrekullueshëm dukej çifti në këtë foto. Por çfarë qëndron pas saj?

Fotoja për të cilën flet Meghan

Por Meghan tregoi: “Ajo foto nëse e zmadhon, shikon sa fort duart e tij kanë shtrënguar të miat. Ne jemi duke buzëqeshur dhe po bëjmë punën tonë, por të dy thjesht po përpiqemi të mbahemi.”

  1. Meghan nuk bëri ndonjë kërkim para martese mbi Familjen Mbretërore

Duke folur për herën e parë që u takua me Mbretëreshën, Meghan tha se ishte befasuar kur mësoi se duhej të përkulej. Ajo tha se mendonte që përkuljet e nderimet ndodhnin vetëm përpara publikut e me zyrtarë, por s’e mendonte se këto ndodhnin edhe brenda vetë familjes mbretërore.

Më pas Meghan tregoi se iu desh të praktikohej shpejt e shpejt mbi mënyrën se si duhej të përkulej përpara mbretëreshës, përpara një dreke të improvizuar me të.

Meghan tregon edhe çfarë foli me Harry-n për këtë: “Unë i thashë: Është thjesht gjyshja jote. Ai tha: Është Mbretëresha”.

Meghan shtoi se ajo nuk kishte bërë ndonjë hulumtim mbi familjen para se t’u bashkohej dhe këmbënguli se ajo kurrë nuk kishte kërkuar në internet për Harry-n kur po dilnin bashkë.

  1. Harry dhe Meghan në të vërtetë u martuan tri ditë para dasmës

Miliona njerëz i panë princin Harry dhe Meghanin duke lidhur kurorë në Kështjellën e Windsorit më 19 Maj në vitin 2018. Por kjo ceremoni ishte pasi ata ishin martuar legalisht dhe pasi gjithashtu kishin shkëmbyer betimet përpara kryepeshkopit tri ditë më parë.

Meghan tha: “Ne e thirrëm kryepeshkopin dhe i thamë: ‘shiko, kjo gjë, ky spektakël është për botën, por ne duam bashkimin tonë mes nesh… vetëm ne të dy në oborrin e shtëpisë sonë”.

  1. Fraza e preferuar e Archie-t është ‘drive safe’

Princi Harry foli për djalin e tij Archie-n dhe gëzimin që përjeton kur e nxjerr atë për të bërë xhiro me biçikletë. Gjatë intervistës u tregua dhe një klip i çiftit dhe vogëlushit të tyre duke luajtur në plazh.

Princi Harry tha sa herë që dikush largohet nga shtëpia, Archie u thotë atyre “ecni të sigurt”.

Archie i cili mbush dy vjeç në muajin Maj, tani thotë fjalë si “palma” dhe “shtëpia”.

12. Dhe… është një vajzë

Çifti ka konfirmuar gjithashtu se janë në pritje të një vajze. Për këtë Harry tha: “Çfarë mund të kërkoni më shumë?”

Nga fundi i intervistës, Oprah pyeti nëse Meghan e kishte arritur gjithsesi fundin e saj të lumtur me princin Harry. Ajo u përgjigj: “Më e madhe se çdo përrallë që keni lexuar ndonjëherë”.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e BBC-së/ Përshtati në shqip Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *