Vendosni fjalën kyçe....

Zgjerimi i Greqisë në 12 milje në Detin Jon, Basha i drejton gjashtë pyetje Ramës


Partia Demokratike i ka drejtuar gjashtë pyetje kryeministrit Rama pas deklaratave të tij lidhur me zgjerimin nga 6 në 12 milje detare të ujërave territoriale të vendit fqinj.

Në një reagim nga kreu i qeverisë pak orë më parë, ai theksoi se Greqia ka ushtruar të drejtën e saj lidhur me zgjerimin ndërsa shtoi se lidhur me delimitimin e ujërave territorialë, Tirana e Athina kanë vendosur të shkojnë në Gjykatën Ndërkombëtare. Pas deklaratave të Ramës, PD i drejton kryeministrit gjashtë pyetje.

Selia blu pyet pse qeveria nuk ka bërë transparencë për zhvillimet e fundit në këtë drejtim. Po kështu PD-ja e pyet kryeministrin nëse zgjerimi i Greqisë në 12 milje detare e vë Shqipërinë në pozita të pafavorshme.

Deklarata e PD-së

Partia Demokratike e Shqipërisë ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të gjitha zhvillimet lidhur me ecurinë e marrëveshjes së delimitimit të hapësirave detare ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë.

Partia Demokratike shpreh shqetësimin e saj lidhur me heshtjen dhe mungesën e transparencës së qeverisë ndaj zhvillimeve të fundit sa i përket Dekretimit të zgjerimit të Ujërave Territoriale Greke.

Të gjendur përballë një situate ku Republika Helenike ka deklaruar shtrirjen e ujërave të veta territoriale deri ne 12 milje është krejt legjitime që çdo qytetar shqiptar t’i drejtojë këto pyetje Qeverisë Shqiptare:

  1. Përse qeveria shqiptare nuk ka bërë asnjë transparencë në lidhje me negociatat për ndarjen e kufijve ujorë me Greqinë, megjithëse negociatat për këtë qëllim kanë ri-filluar që më 2013?
  2. Cilët janë elementët që janë negociuar, ne lidhje me çfarë është rënë dakord dhe çfarë nuk është rënë dakord?
  3. A është diskutuar ndonjëherë në këto negociata ideja që qeveria greke t’i shtrinte ujërat e veta territoriale nga 6 ne 12 milje? Nëse po cili ka qenë qëndrimi i qeverisë shqiptare në këtë pikë?
  4. A e vendos Shqipërinë kjo shtrirje nga pala greke e detit territorial në 12 milje, në një pozitë më pak të favorshme negociuese?
  5. A ka analizuar qeveria shqiptare pasojat juridike dhe të tjera të kësaj shtrirjeje për të cilën mediat kanë raportuar prej kohësh?
  6. Nese ky zgjerim e vendos Shqipërinë në një pozitë më pak të favorshme, a duhet që qeveria shqiptare të paraqesë rezervat e saj lidhur me këtë zgjerim si dhe me aspekte të tjera që përkeqësojnë pozitat e Shqipërisë.

Partia Demokratike e Shqipërisë është krejtësisht e angazhuar në respektimn e të Drejtës Detare Ndërkombëtare, të Konventës së OKB mbi të Drejtën e Detit të Montego Bay të vitit 1982, të respektimit të të drejtave të të gjitha palëve dhe mbrojtjes së të drejtave të Republikës së Shqipërisë në përfitimin e të gjitha atyre hapësirave detare që me të drejtën ndërkombëtare i përkasin Republikës së Shqipërisë.

Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë, të bëjë transaparencë të plotë mbi çdo veprim apo mosveprim të saj në dëm të interesave të vendit, dhe garanton çdo qytetar shqiptar se nesër në pushtet do të luftojë me forcën e ligjit, në respektim të Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, me ekspertizën më të mirë kombëtare e ndërkombëtare, për të mbrojtur interesat legjitime të Republikës së Shqipërisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *