Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-të paralajmërojnë me sanksione projektin NordStream2


Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price njoftoi se nëse përfundon ndërtimi dhe regjistrimi i projektit të tubacionit “Rrjedha Veriore 2” (Nord Stream 2) do të shqyrtojnë sërish zbatimin e sanksioneve ndaj atyre që janë të përfshirë në projekt.

Lidhur me fillimin e aktiviteteve për vendosjen e tubacioneve në projektin “Rrjedha Veriore 2”, Price në një konferencë për media u pyet nëse planifikon apo jo administrata amerikane në kuadër të buxhetit të mbrojtjes 2021 të zbatojë sanksione të reja ndaj kompanive.

Në përgjigjen e tij, Price tha: “Po ndjekim nga afër aktivitetet e përfundimit dhe regjistrimit të linjës së tubacioneve. Nëse këto ndodhin do të bëjmë një vlerësim lidhur me zbatimin e sanksioneve, por më lejoni të them menjëherë se sanksionet janë një nga mjetet më të rëndësishme që kemi. Ne do të punojmë me partnerët dhe aleatët tanë për të siguruar sigurinë energjetike evropiane kundër sjelljeve të tilla shkatërruese”.

Ai tha se presidenti amerikan Joe Biden mendon se projekti “Rrjedha Veriore 2” është një marrëveshje e keqe. “Kjo është një marrëveshje shumë e keqe, sepse e ndan Evropën. Ekspozon Ukrainën dhe Evropën Qendrore përballë manipulimeve të Rusisë. Kjo nuk përputhet plotësisht as me objektivat e sigurisë së energjisë të vendosur nga Evropa”, tha Price.

Ndërtimi i projektit u ndërpre në dhjetor 2019 pas “kërcënimeve për sanksione” nga SHBA-ja.

Në Ligjin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare 2020 i njohur si buxheti i mbrojtjes së SHBA-së ekziston një nen lidhur me zbatimin e sanksioneve ndaj kompanive detare që përfshihen në ndërtimin e projektit “Rrjedha Veriore 2”.

Departamenti amerikan i Thesarit më 19 janar vendosi në listën e sanksioneve anijen për shtrimin e tubacioneve “Fortuna” dhe kompaninë ruse KVT-RUS që kanë detyra në ndërtimin e projektit të linjës së tubacioneve për gazin natyror “Rrjedha Veriore 2”.

Ndërsa më 24 janar anija “Fortuna” që u vendos në listën e sanksioneve nga SHBA-ja u njoftua se filloi sërish ndërtimin e “Rrjedhës Veriore 2” në ujërat e Danimarkës.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *