Vendosni fjalën kyçe....

Kryemadhi i përgjigjet Ramës: Po shkon për skrap për vete


Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, thotë se kryeministri Edi Rama “po shkon për skrap për vete” edhe pse ka tetë vite që ka si program kryesor politik sipas saj, që të “çojë për skrap LSI-në”.

Kjo deklaratë e Kryemadhit vjen pasi kryeministri Edi Rama deklaroi sot se bashkë me kryedemokratin Lulzim Basha kishin program të përbashkët për “çuarjen për skrap të LSI-së”, plan që ky i fundit më pas e ka brakstisur sipas tij.

Gjatë fjalës së saj, zonja Kryemadhi tha se LSI-ja vetë është e fokusuar në pesë prioritete: tek arsimi, tek punësimi i mirëpaguar për të rinjtë, krijimi i profesionistëve të rinj, rimbursimin e shpenzimeve në 5% të faturave të tyre tatimore si dhe programi ‘Nga bebja në bebe’.

Pjesë nga fjala e Kryemadhit:

Ne si LSI jemi të gatshëm dhe i kemi ofruar gjithmonë të rinjve dhe të rejave tona program, angazhim dhe ajo që është gjëja më e rëndësishme është vendimmarrja. Sot të rinjtë shqiptarë, përveçse janë larguar nga Shqipëria, po ndihen të papërfshirë, po ndihen të paorganizuar, të pabegenisur, dhe jo vetëm kaq, por në shumicën e rasteve edhe janë tallur.
Një nga problemet kryesore është keqqeverisja, është arroganca, është mashtrimi, ndërtimi i gjithë politikës dhe qeverisjes në bazë të mashtrimit.

Por, sot shqiptarët duan program, sot shqiptarët duan ide, sot shqiptarët vizion dhe ne sot jemi më të qartë se kurrë sepse kemi një program, kemi 5 prioritetet tona kryesore, të cilat ne duam t’i realizojmë dhe do ti realizojmë në 5 muaj, në bashkëpunim edhe me të gjithë frontin tonë opozitar. Por nuk është më front opozitar, nuk është më opozitë e bashkuar, por janë të gjithë shqiptarët e bashkuar.

Prandaj shikojmë një kryeministër në ikje që turfullon me orë të stërzgjatura në televizion, i la dhe televizionet pa reklama, sepse ka dy orë e gjysmë që vetëm flet, i falimentoi më shumë se ç’janë. Dhe cili është programi i vetëm që ai ka? Me atë që kemi dëgjuar ne 8 vjet, programi politik i Rilindjes dhe i Edi Ramës ka qenë: ‘Të çojmë LSI-në për skrap’. Ky program i tij ka dështuar, po shkon për skrap për vete.

Kështu që edhe një nga pikat tona kryesore që ne themi dhe që sot është e domosdoshme, është fokusimi ynë te pesë prioritetet tona: tek arsimi, tek punësimi i mirëpaguar për të rinjtë tanë, krijimi i profesionistëve të rinj. Ajo që ndihmon edhe fuqizimin ekonomik të familjeve tona, rimbursimin e shpenzimeve në 5 për qind të faturave të tyre tatimore dhe pastaj edhe programi ynë ‘Nga bebja në bebe’ për të ndaluar shpopullimin me ritme të shpejta që është nxitur nga Edi Rama, për ta ç’bërë atë.
Bashkë me Viktorin, një nga takimet tona kryesore që ne kemi, jo vetëm me votuesit për herë të parë, por edhe në takimet e tjera që ne kemi zhvilluar që prej mëngjesit të ditës së sotme, kemi vënë re se njerëzit janë shumë të lodhur nga mashtrimet që kanë ndodhur deri më sot, nga gënjeshtrat që në tetë vite u janë bërë qytetarëve.

Teksa flasim për rindërtimin, faktikisht këtu janë tre pallate të shembura dhe vetë qytetarët lezhjanë janë prezentë, kur vetë kryeministri ka ardhur, ka prerë shiritin dhe ka thënë që do të ndërtojë pallate të reja, dhe kanë pesë muaj që nuk kanë parë absolutisht asgjë. Dhe jo vetëm kaq, por nuk kanë një kontratë, një letër të shkruar të zezë mbi të bardhë se ku do të jetojnë, çfarë do të marrin, ku janë shtëpitë e tyre dhe ku do të ndërtohen në të ardhmen. Dhe kjo është një nga pikat më problematike, kur flasim për rindërtimin, që është kthyer tashmë si një projekt fitimprurës për grupin e Dubait. Para 1 jave kishim darkën e Nusretit, dje kishim tabelën e pritjes së delegacionit të ministrave me oligarkët që shkonin përsëri në Dubai.

Pra, një nga problemet kryesor është orientimi anti-evropian që Rama kërkon ti japë Shqipërisë, gjë për të cilën unë jam e bindur se jo vetëm LSI, por gjithë shqiptarët dhe gjithë socialistët e vërtetë, çfarë duan? 99 për qind e tyre e duan Shqipërinë evropiane.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *