Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Korçë në një bashkëbisedim me qytetarët atje. I pyetur nga një mjek, ai foli dhe për furnizimin me vaksinat e “Pfizer”it.
Rama thotë se ka marrë konfirmimin që do të fillojë furnizimi me vaksinat Pfizer duke nisur nga dita e hënë.
Megjithatë ai pranoi se furnizimi do të nisë me një sasi më të vogël se ajo e premtuar.
“Do të duhet të kishin ardhur 10 mijë dozat e para në fund të janarit. Njësoj si me të tjerët Pfizer i shtyhu në kohë. Kemi marrë konfirmimin që do fillojë furnizimi nga Pfizer ditën e hënë. Shpresoj që të mos marrim një njoftim tjetër. Do të fillojë me një sasi më të vogël se ajo e premtuara, por sasitë do të vijnë duke u rritur shpejt. Jemi afër dozës së dytë për ata që e kanë marrë. Në momentin që fillon furnizimi do të kemi mundësi ta shtrijmë në mënyrë të shpejtë për ju, mjekët dhe infermierët“, tha Rama.
Ai shtoi se është në negociata me kompaninë tjetër “AstraZeneca” dhe se janë pranë finalizimit të një kontrate.