Vendosni fjalën kyçe....

Policia pas protestës në Tiranë: Arrestuam 25 persona dhe proceduam 130 të tjerë


Policia ka publikuar të dhënat zyrtare pas protestës së mbrëmjes së kaluar dhe të tretë radhazi, për vrasjen e Klodian Rashës.

Policia thotë se ka arrestuar në flagrancë 25 persona dhe se ka proceduar në gjendje të lirë 130 të tjerë.

Protestuesit akuzohen se kanë organizuar tubim të paligjshëm dhe se kanë ushtruar dhunë ndaj efektivëve të policisë. Tre punonjës policia kanë mbetur të plagosur, gjatë protestës së mbrëmshme.

DETAJET E POLICISË

Organizuan grumbullim dhe tubim të paligjshëm, ushtruan dhunë dhe plagosën 3 punonjës të Policisë, si dhe shkatërruan pronën publike e private, arrestohen në flagrancë 25 shtetas, procedohen penalisht në gjendje të lirë 130 shtetas të tjerë.

Rreth orës 18:00 të datës 11.12.2020, para godinës së Ministrisë së Brendshme nisi një tubim i paligjshëm i cili u përshkallëzua në veprime të dhunshme ndaj institucionit të Ministrisë së Brendshme dhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit të cilët ishin në shërbim.

Më pas, pjesëmarrësit në tubim u ndanë në disa grupe dhe për rreth katër orë kanë ushtruar dhunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në sheshin Skënderbej, në rrugën “Myslym Shyri”, në ish-Bllok, në rrugën “Ibrahim Rrugova”, Gjin Bue Shpata”, “Sulejman Delvina” dhe “Sami Frashëri”, ndaj bizneseve private dhe disa automjete.

Gjithashtu, këto grupe kanë sulmuar me gurë e me lëndë piroteknike Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Si pasojë e dhunës me gurë, pllaka guri, sende të forta dhe lëndë piroteknike u plagosën 3 punonjës policie, duke u shkaktuar dëmtime të rënda fizike, u shkatërrua sinjalistika horizontale dhe vertikale në rrugët e lartpërmendura, semaforët, llambadarët e ndriçimit të rrugëve, u është vënë flaka kazanëve të mbeturinave, si dhe në institucionet shtetërore dhe subjektet private janë shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Shërbimet e Policisë kanë përdorur të gjitha mjetet e ligjshme për të neutralizuar personat e dhunshëm të cilët bënin thirrje për grumbullime dhe nxisin turmat për të dhunuar punonjësit e Policisë.

Strukturat Operacionale kanë bërë të mundur filmimin e personave të dhunshëm të cilët plagosën punonjësit e Policisë dhe shkatërruan pronën publike e private dhe në bazë të filmimeve kanë bërë shoqërimin e tyre.

Më pas, në përfundim të veprimeve procedurale janë arrestuar në flagrancë 25 shtetas, si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 130 të tjerë, për kryerjen e veprave penale “Organizimi dhe pjesëmarrja ne grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe ”Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe ‘’Mbajtja dhe përdorimi i lëndëve plasëse dhe piroteknike’’.

Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në veprime të dhunshme ndaj Policisë, pronës shtetërore dhe asaj private, si dhe për identifikimin dhe kapjen e organizatorëve të cilët kanë bërë dhe bëjnë thirrje në rrjetet sociale për të marrë pjesë në tubime të paligjshme.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë atyre që duan të protestojnë që të mbajnë parasysh se në këtë kohë të jashtëzakonshme për shëndetin e njerëzve tubimet e më shumë se 10 personave janë të ndaluara me ligj dhe po ashtu çdo përdorim dhune është i dënueshëm nga ligji. Gjithashtu, Policia e Shtetit sjell në vëmendjen e çdo nxitësi apo ushtruesi dhune ndaj uniformave të Policisë, se efektivët e saj e kanë për detyrë të reagojnë proporcionalisht dhe nuk do të ngurrojnë ta bëjnë këtë në asnjë rast dhe për asnjë arsye.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *