Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Dhuna e policisë përgjegjësi direkte e zyrtarëve të policisë e Lleshajt, koha për drejtësi është tani


Presidenti Meta ka dënuar vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Kreu i shtetit shkruan se të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë të akteve të përdorimit të dhunës ekstreme e shproporcionale nga efektivë të Policisë së Shtetit, dhunë që ka ardhur duke u përshkallëzuar.

“Të dashur familjarë të të ndjerit Klodian Rasha,

Më lejoni T’ju shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për ndarjen nga jeta, në rrethana tashmë të bëra publike, të djalit dhe të afërmit Tuaj, i vrarë me armë zjarri nga një punonjës i Policisë së Shtetit, ngjarje shumë e rëndë dhe e dënueshme, që na ka tronditur thellësisht të gjithëve. Të dashur qytetarë,

Policia e Shtetit ka mision të ruajë rendin e sigurinë publike, garantimin e zbatimit të ligjit, në përputhje me Kushtetutën dhe Aktet Ndërkombëtare, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.

Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar.” – shkruan Meta.

Më tej presidenti shton më tej se kjo dhunë është përgjegjësi direkte e funksionarëve të lartë dhe drejtuesve të policisë si dhe e ministrit Lleshaj. Meta thekson se çdo akt dhune i kryer nga policia përtej misioni të saj dhe ligjit duhet të ndëshkohet.

“Kjo është përgjegjësi direkte e funksionarëve të lartë dhe e drejtuesve të Policisë së Shtetit, si edhe e Ministrit të Brendshëm, të cilët nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla. Uniforma e Policisë së Shtetit është përfaqësuese e drejtpërdrejt e autoritetit shtetëror, por dhe e besimit që qytetarët kanë ndaj shtetit. Për ta fituar dhe për ta mbajtur atë, duhet integritet, meritë, profesionalizëm, paanshmëri, pavarësi, vetëpërmbajtje dhe mbi të gjitha ligjshmëri dhe respektim i të drejtave e lirive themelore të njeriut. Këto janë parimet mbi të cilat duhet të ushtrojë detyrën çdo efektiv policie. Çdo akt tjetër përtej ligjit dhe misionit të saj, i kryer nga Policia e Shtetit dhe efektivët e saj, është i papranueshëm, nuk duhet të tolerohet, por duhet të ndëshkohet.” – shton Meta.

Në fund ai bën thirrje për zbardhjen e plotë, objektive e transparente të vrasjes së të riut nga policia. Po kështu Meta thotë se ngjarja e rëndë duhet të shërbejë si moment kthese e reflektimi mbi ligjshmërinë e akteve të Policisë së Shtetit.

“Ju bëj thirrje agjencive ligjzbatuese dhe autoriteteve të tjera shtetërore, t`i përgjigjen menjëherë nevojës së mbarë shoqërisë për drejtësi, përmes një hetimi të shpejtë, të plotë, të pavarur, objektiv dhe transparent për ngjarjen e rëndë të vrasjes së shtetasit Klodian Rasha. I kërkoj Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve.

Zbardhja e plotë e ngjarjes së rëndë duhet të shërbejë, si një moment kthese dhe reflektimi mbi ligjshmërinë e akteve të Policisë së Shtetit, jo vetëm të një individi, por e të gjithë zinxhirit komandues, që nga mënyra e rekrutimit, trajnimit dhe orientimit të efektivëve të policisë, deri te nxitja e veprimeve apo sjelljeve jashtë kërkesave të ligjit, që më pas çojnë edhe në ngjarje të tilla, të papranueshme për të gjithë shoqërinë tonë.

I kërkoj Avokatit të Popullit të ndjekë nga afër këtë rast dhe të dalë me rekomandime të posaçme për Policinë e Shtetit e që duhet të adresohen menjëherë nga kjo e fundit. I bëj thirrje shoqërisë civile të jetë më aktive në krah të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve në raport me veprimet e Policisë së Shtetit, e të monitorojë në mënyrë konstante veprimtarinë e saj. KOHA PËR DREJTËSI ËSHTË TANI!” – mbyll reagimin Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *