Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Lleshaj reagon më në fund për vrasjen e Klodian Rashës: E vërteta është ngushëllimi më i madh


Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka reaguar për herë të parë lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Lleshaj i cili deri më sot nuk kishte thënë asnjë fjalë mbi ngjarjen, ku një polic vrau një djalë të ri, ministri i shpreh ngushëllimet e tij familjarëve.

Ai nuk dha asnjë detaj mbi ngjarjen, duke ua lënë në dorë hetimeve të mëtejshme. Lleshaj thotë se e vërteta është ngushëllimi më i madh dhe u bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të mbyllin sa më shpejt detyrën dhe të zbardhin ngjarjen.

“E VËRTETA ËSHTË NGUSHËLLIMI MË I MADH

Ka shumë arsye se përse e ndjej fort se çfarë do të thotë humbja e Klodian Rashës për prindërit dhe familjarët e tij. Në këto çaste të hidhërimit të madh, u shpreh atyre ngushëllimet e mia më të thella për këtë humbje tragjike.

Në të njëjtën kohë, shpreh besimin tim të plotë se organet ligjore përgjegjëse do të finalizojnë shpejt, saktë, drejt dhe jashtë çdo ndikimi hetimet për vrasjen e Klodian Rashës.

Kjo ngjarje ka prekur shumë njerëz, të afërm të viktimës, qytetarë të zakonshëm, pjesëtarët e Policisë së Shtetit dhe gjithë të tjerët.

Sot të gjithë kanë nevojë për qartësimin e plotë dhe shterues të rrethanave që sollën këtë ngjarje tragjike dhe autoritetet përgjegjëse ligjore duhet të përmbyllin sa më shpejt detyrën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtësisë.”- shkruan Lleshaj.

25-vjeçari Klodjan Rasha u vra nga policia në orët e para të 8 dhjetorit, rreth 100 metër larg banesës së tij. Ai ishte ndjekur nga dy efektivë policie pasi kishte shkelur orën policore.

Policia thotë se efektivi që e qëlloi ishte ndjerë i rrezikuar, pasi i riu kishte nxjerrë një objekt që ishte dukur si armë. Në një njoftim të dytë, policia tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur armën që kishte mbajtur Rasha me vete.

Më vonë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nga hetimet paraprake doli në përfundimet se veprimet e punonjësit të policisë me inicialet N.H. bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Në njoftimin publik thuhej se kanë gjetur një pistoletë, në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë. Por nuk thuhej se i riu kishte gjë në dorë në momentin kur u qëllua nga polici.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, mbrëmjen e kaluar pati një protestë nga të rinjtë në Shkodër, të cilët u mblodhën me qirinj në duar ndërsa sot të rinjtë e FRPD-së marshuan drejt Kryeministrisë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *