Vendosni fjalën kyçe....

Sot marshim protestë në Tiranë për vrasjen e Klodian Rashës


Paraditen e sotme në orën 11:00 pritet të zhvillohet një marshim protestë përpara Ministrisë së Brendshme, lidhur me vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie.

Një tjetër protest pritet të zhvillohet edhe në orën 16:00.

Paradite do të protestojnë të rinjtë e Forumit Rinor të Partisë Demokratike, të cilët njoftojnë: “Në orën 11.00 të rinjtë demokratë nisin tek Ministria e Brendshme një marshim protestë për ekzekutimin nga policia të të riut Klodian Rasha. Itinerari i marshimit do të jetë Ministria e Brendshme-Bulevard-Kryeministri”.

Mbrëmjen e kaluar edhe ish-kryeministri Sali Berisha, reagoi lidhur me ngjarjen duke u bërë thirrje qytetarëve të protestojnë.

25-vjeçari Klodjan Rasha u vra nga policia pas mesnatës, në orët e para të së martës, rreth 100 metër larg banesës së tij. Ai ishte ndjekur nga dy efektivë policie se kishte shkelur orën policore.

Policia thotë se efektivi që e qëlloi ishte ndjerë i rrezikuar, pasi i riu kishte nxjerrë një objekt që ishte dukur si armë. Në një njoftim të dytë, policia tha se në vendin e ngjarjes kishte gjetur armën që kishte mbajtur Rasha me vete.

Më vonë, Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat nga hetimet paraprake doli në përfundimet se veprimet e punonjësit të policisë me inicialet N.H. bien në kundërshtim me procedurat standarde të përdorimit të armëve të zjarrit. Në njoftimin publik thuhej se kanë gjetur një pistoletë, në një nga rrugicat ku ka kaluar viktima gjatë ndjekjes nga punonjësit e Policisë. Por nuk thuhej se i riu kishte gjë në dorë në momentin kur u qëllua nga polici.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, mbrëmjen e kaluar pati një protest nga të rinjtë në Shkodër, të cilët u mblodhën me qirinj në duar.

Protesta e heshtur në Shkodër nisi nga qendra e qytetit dhe vazhdoi deri te Prefektura ku dhe u vendosën qirinjtë.

Kjo protestë është zhvilluar pas orës 22:00, një thyerje edhe e orës policore të vendosur nga autoritetet për shkak të pandemisë.

PAMJET nga protesta e heshtur në Shkodër


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *