Vendosni fjalën kyçe....

Lita sulmon Lleshajn: Je ministri më i dështuar, po të kishe moral ushtaraku nuk i ofendoje kurrë policët


Pasi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se vendi ynë kishtë regjistruar parametra historikë të luftës ndaj krimit në tre dekada, deputeti i Korab Lita mori përsëri fjalën.

Ai e sulmoi Lleshajn duke thënë se i ka lënë policët të pambrojtur, ndërsa u Shqipëria sipas tij po kalon një nga periudhat më të rënda të sigurisë, trafiqeve dhe krimit të organizuar.

“Përballja me krimin bëhet e pamundur kur trupa policore nuk ka zinxhirin drejtues, që t’i mbrojë dhe të mos ndjehen të tradhtuar.

Ne e dëgjuam këtu z. ministër të Brendshëm që na paraqiti këtu operacione me emra shumë të bukur.

Sot kriminelët ju i keni miq, i keni shokë, edhe kur i kapni ata në fakt dorëzohen vetë sepse e dinë që do të dalin pas disa muajsh. Lëri pallavrat elektorale se ti as ato nuk di t’i bësh mirë. Shqiptarët janë lodhur me pallavrat tuaja të Rilindjes.  Sot drejtuesit reale të policisë janë koordinatorët politikë të PS-së dhe kapot e krimit në zona. E gjithë trupa policore është kthyer në shërbim të kapove. Kryeplaku do t’ju ruajë territorin juve?

Ti je ministri më i dështuar që ka pasur ndonjëherë në Ministria e Brendshme. Je ministri më i dështuar, sepse nëse do të kishe pasur sadopak moral ushtaraku kurrë nuk do ta ofendoje figurën e policit. Të ishte ndonjë ministër politik dhe të falej, por është e papranueshme nga një ushtarak”, tha Lita.

Ai më pas iu drejtua ministrit duke i thënë: “U ndave me Krishtin, por nuk u poqe kurrë me Muhamedin”.

Kujtojmë se para pak kohësh, deklarata e ministrit Lleshaj në Kuvend drejtuar deputetit Myslim Murrizi bëri shumë bujë.

Kjo sepse ai u mundua të ofendonte atë, por e bëri duke ofenduar dhe figurën e policit.

 “Polic ke qenë dhe polic ke mbetur” – i thoshte Lleshaj Murrizit.

Ai më pas u justifikua duke thënë se fjalën “polic” nuk e përdor asnjëherë në kuptimin e keq, por thjesht i ka kujtuar Murrizit punën që ai ka bërë në Policinë Financiare të viteve 90-të.