Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi mblidhet të enjten, interpelanca me Ramën dhe ministrin e Infrastrukturës në fokus



Të enjten, në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon seancën plenare të radhës, me një rend dite të ngjeshur që përfshin interpelanca, projektligje dhe vendimmarrje të rëndësishme.

Në fokus të seancës është interpelanca urgjente me kryeministrin Edi Rama, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, si dhe interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.

Po ashtu, në rendin e ditës është parashikuar edhe një seancë pyetje–përgjigje me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, me kërkesë të deputetes Ina Zhupa.

Gjatë seancës pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, përfshirë ndryshime në ligjin për akcizat, taksat kombëtare, shtetësinë, Kodin Rrugor, inspektimin, si dhe projektligji për identifikimin elektronik dhe portofolin e identitetit digjital.

Në rend dite është gjithashtu edhe projektligji për mekanizmin e reagimit ndaj krizave të furnizimit dhe çmimeve të lëndëve djegëse, si dhe një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare dhe vendimesh për institucione të pavarura, përfshirë Avokatin e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Bankën e Shqipërisë.

Seanca përfshin gjithashtu diskutime jashtë rendit të ditës, ku deputetët mund të trajtojnë çështje aktuale për një kohë të kufizuar.